Shqipëria do të prodhojë dhe shesë armë. Duke nisur nga ish-uzina e Poliçanit apo ajo e Mjekësit në Elbasan, pajisjeve ushtarake do t’u shkundet pluhuri i harresës. Ligji i miratua në seancën e fundit plenare me 76 vota pro, 18 kundër, 1 abstenim, vota e Fatmir Mediut. 43 deputetë të pranishëm nuk votuan. 

Në komisionet parlamentare hyri me procedurë të përshpejtuar drafti ligjor me kosto 300 milion lekë për krijimin e shoqërisë shtetërore ‘KAYO’ për prodhimin dhe tregtimin e armëve e municioneve si edhe përcaktimin e rregullave të funksionimit të kësaj veprimtarie. Te “Siguria”, ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, sqaroi që ka një ngutje për shkak të situatës globale të konflikteve dhe kërkesë së vetë NATO-s.

Për opozitën drafti fsheh skenarë të përfshirjes së privatëve. Zëvendësministri i Mbrojtjes, Dorian Tola, sqaroi se “KAYO” është një shoqëri aksionare me 100% aksionar shtetin.

Në pikëpyetje opozita vuri edhe buxhetin prej 3 milionë euro për shoqërinë.

Objekt i “KAYO” do të jetë projektimi, prodhimi, demilitarizimi dhe tregtimi, brenda dhe jashtë vendit, i të gjitha llojeve të armëve. Synimi i qeverisë është të prodhojë armë të mjaftueshme për Forcat e Armatosura, por planet janë edhe për shitje, duke pasur parasysh situatën aktuale të konflikteve globale./Shqiptarja