Periudha e fushatës zgjedhore për kreun e Bashkisë së Himarës ka nisur zyrtarisht sot dhe përfundon në datën 2 gusht 2024. Ndërkohë, heshtja zgjedhore përfshin ditën përpara datës së zgjedhjeve, 3 gusht 2024, dhe datën e zgjedhjeve, 4 gusht 2024 deri në orën 19.00.
KQZ ka vijuar dje të informojë zgjedhësit e Himarës se cilat janë rregullat e votimit. Në Himarë do të garojnë dy kandidatë dhe rezultatet e shortit përcaktuan se numri 1 (një) në fletën e votimit do të jetë kandidati i propozuar nga PS, Vangjel Tavo dhe numri 2 (dy) do të jetë kandidati i propozuar nga koalicioni “BF”, Petraq Gjikuria.
Më 5 korrik të këtij viti, KQZ deklaroi pavlefshmërinë e mandatit të kryetarit të zgjedhur të Himarës Fredi Beleri, pas vendimit të formës së prerë të Gjykatës së Apelit e cila e dënoi atë me dy vjet burgim, për korrupsion në zgjedhje.
Atë ditë, Beleri, i pranishëm në mbledhje, por dhe mbrojtësit e tij, mbështetën idenë se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk mund të shprehej për këtë rast, pa një vendim të qeverisë që e shkarkonte atë nga detyra. Por sipas kreut të KQZ, Ilirjan Celibashi, vendimi mbështetej në të ashtuquajturin Ligj të Dekriminalizimit. Me urgjencë, qeveria kërkoi më pas shpalljen e zgjedhjeve të reja në Himarë, nga presidenti, i cili po ashtu me shpejtesi dekretoi 4 gushtin si ditën e votimit./Dita