Avioni luftarak F-16 ka pesëdhjetë vjet që shërben, me një rol kyç për vendet që i përdorin ata.

Ekspertët ushtarakë thonë se ky avion revolucionarizoi mbrojtjen ajrore moderne dhe me zhdërvjelltësinë e tij dhe aftësinë për t’u përshtatur, mbetet shtylla kurrizore e NATO-s dhe flotës luftarake të koalicionit të aleatëve.

Avioni luftarak F-16 i prodhuar nga kompania e industrisë ushtarake Lockheed Martin, është ende në qendër të vëmendjes pesë dekada pas fluturimit të tij të parë. Ai është një simbol i fuqisë ajrore të Shteteve të Bashkuara.

 

I projektuar fillimisht si një mjet ajror i lehtë dhe i zhdërvjellët, F-16 është shndërruar me kalimin e kohës në një avion të lakmuar që shërben në shumë role.

Kohët e fundit, avionët F-16 u shfaqën në një paradë spektakolare, në panairin më të madh ajror ushtarak në botë, në Gloucestershire të Britanisë.

Orlando Sanchez Jnr është zëvendëspresidenti dhe menaxheri i përgjithshëm i Prodhimit të Avionëve Luftarakë në kompaninë Lockheed Martin.

“Jemi këtu për të shënuar 50 vjet kontribut në NATO dhe në mbarë botën", thotë ai.

Në vitin 1974, fluturimi i parë i avionit F-16 u bë një muaj më herët se sa ishte planifikuar. Piloti Phil Oestricher hipi në kabinë në bazën e Forcave Ajrore Edwards në Kaliforni.

Synimi ishte të bëhej një provë e shkurtër me shpejtësi të lartë në tokë, por ai realizoi një fluturim dramatik prej gjashtë minutash përpara se të ulej në mënyrë të sigurt.

"F-16 është avion i veçantë sepse në fillimet e tij, ai ishte projektuar për të qenë i zhdërvjellët dhe për mbi 50 vjet ka dëshmuar se është i adaptueshëm.

Kemi pasur mbi 142 versione të tij dhe tani 4600 të tillë fluturojnë në 25 vende, së shpejti do të jetë edhe në vendin e 26-të. F-16 sot është i rëndësishëm për sigurinë e shekullit të 21-të dhe vendet e NATO-s, si edhe vendet partnere në mbarë botën”.

Avioni ka një ndikim kyç për NATO-n në Evropë, ku janë në veprim më shumë se 700 të tillë, duke u mundësuar shumë vendeve evropiane të mbrojnë hapësirën ajrore dhe të jenë pjesë e rrjetit paqeruajtës të NATO-s.

Paisja me F-16 ishte një nga kërkesat e presidentit Volodymyr Zelenskyy duke shpresuar se kjo do t’i jepte një avantazh ushtarak Ukrainës, mes përpjekjeve intensive për të zmbrapsur agresionin rus.

"F-16 është me të vërtetë i rëndësishëm për aleancën e NATO-s, sepse jo vetëm që është teknologjia e fundit, gjë që ka rëndësi për luftën sot, por ai bashkon në një mënyrë organike, të gjitha partneritetet e NATO-s", thotë zoti Sanchez.

F-16 prodhohet në kompleksin e kompanisë Lockheed Martin në Greenville të Karolinës së Jugut. SHBA dhe disa forca ajrore të NATO-s janë në procesin e zëvendësimit të avionëve F-16 me një tjetër avion luftarak të prodhuar nga Lockheed, F-35, i cili ofron aftësi të gjeneratës së ardhshme ajrore luftarake./VOA