Programi për menaxhimin e infrastrukturës dhe ujitjes në bujqësi mori 13.4 për qind të buxhetit total të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural vitin e shkuar duke financuar kështu të paktën 43 objekte një pjesë e të cilave pritet të mbyllen këtë vit. Ministra pranon se buxheti total për këtë zë ishte 1.8 miliardë lekë apo rreth 15 milionë euro ku pjesa më e madhe investim dhe mbi 1/3 shpenzime.

 

 

“Për vitin 2022, financimet në totali fakt 1821 milion lekë (nga të cilat investime 1142 milion lekë dhe shpenzime 679 milion lekë), të realizuara kundrejt planit, në masën 98%.Me investimin 1142 milion lekë, janë financuar 43 objekte (përfshi dhe rialokimet e bëra gjatë muajit dhjetor 2022, për 10 objekte të bashkive në vazhdim), nga të cilat, 28 kanë përfunduar brenda vitit, ndërsa 15, janë objekte në vazhdim dhe përfundojnë në vitin 2023” thuhet në relacionin e ministrisë.

Duke analizuar më në detaj në ujitje janë financuar 15 objekte me vlerë 223 milion lekë, nga të cilët 13 kanë përfunduar, ndërsa 2 përfundojnë në vitin 2023.

 

“Nëpërmjet këtyre investimeve është mundësuar rehabilitimi i kanaleve kryesor ujitës, për përmirësimin e ujitjes në rreth 10,000 ha, duke garantuar furnizimin me ujë të kanaleve sekondar në administrim të bashkive Korçë, Elbasan, Vlorë, Lezhë dhe Vau i Dejës. Veçanërisht, këtë sezon ujitës, megjithë problematikat e hasura, është mundësuar funksionimi i qëndrueshëm i kanalit ujitës Peqin-Kavajë, nga ku marrin ujë për ujitje bashkitë Peqin, Rrogozhinë dhe Kavajë” thuhet në dokument.

 

Po kështu sa i takon mbrojtjes nga përmbytja Janë financuar 24 objekte, me vlerë 595 milion lekë, nga të cilët 13 kanë përfunduar, ndërsa 11 përfundojnë në vitin 2023.

 

“Me këto investime është mundësuar rehabilitimi/ndërtimi i rreth 15 km argjinatura për mbrojtjen nga gërryerja dhe përmbytja të tokave bujqësore dhe zonave të banuara, më të ekspozuara nga rreziku i përmbytjeve lumore, kryesisht në lumin Buna në Bahçallëk, Dajç dhe Daragjat, në lumin Kir në fshatin Bardhaj, në bashkinë Shkodër, në lumin Osum në Uznovë, Arrëz dhe Gegë, në bashkitë Berat dhe Kuçovë, në lumin Vjosa në Bishan, Kafaraj dhe Selenicë, në bashkitë Vlorë, Fier dhe Selenice, në lumin Shkumbin, në Muriqan dhe Elbasan, në bashkitë Cërrik dhe Elbasan, në lumin Fan, në fshatin Rreth i Epërm, në bashkinë Mirditë” thekson ministria.

 

Po kështu janë financuar 4 hidrovore, me vlerë 253 milion lekë, nga të cilët 2 kanë përfunduar, ndërsa 2 përfundojnë në vitin 2023.

 

Sipas ministrisë në 2 hidrovorë Balldre në Lezhë dhe Drojë në Kurbin, kanë përfunduar punimet, që kanë të bëjnë me rikonstruksionin e godinave të kqtyre hidrovoreve.

 

Për rikonstruksionin e plotë të hidrovorit të Karavastas, që kullon rreth 7000 ha në bashkitë Divjakë e Lushnje dhe hidrovorit të Akërnisë në Vlorë, që kullon 4600 ha (ku dhe po ndërtohet Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës), punimet do të përfundojnë gjatë vitit 2023./Monitor