Rritja ekonomike në Ballkanin Perëndimor parashikohet të jetë më e lartë në vitin 2024, dhe të përshpejtohet edhe në vitin 2025, duke u kthyer në nivelet mesatare të para pandemisë COVID 19, sipas raportit të Bankës Botërore (BB).

Përfaqësuesit e Zyrës së Bankës Botërore në Tiranë kanë prezantuar sot raportin e rregullt ekonomik për vendet e Ballkanit Perëndimor, në të cilin theksohet se vendet e rajonit duhet të vijojnë me zbatimin e reformave me qëllim ngushtimin e hendekut të zhvillimit me vendet e Bashkimit Evropian dhe përmirësimin e standardeve të jetesës.

Sipas raportit, aktiviteti ekonomik në Ballkanin Perëndimor pritet të rritet me 3,2 për qind këtë vit, ose 0,2 pikë përqindje më shumë se rritja e parashikuar nga Banka Botërore në edicionin e mëparshëm të raportit, dhe të vijojë me një rritje prej 3,5 për qind në vitin 2025.

"Rritja e lehtë në vlerat e parashikuara të rritjes ekonomike në periudhë afatmesme reflekton një optimizëm të kujdesshëm pasi Ballkani Perëndimor ka përballuar një sërë goditjesh gjatë viteve të fundit. Vazhdimi i rritjes së dobët në ekonominë botërore, veçanërisht në Eurozonë, do të përkthehej në nivele më të ulëta të investimeve dhe tregtisë me vendet e rajonit. Përveç kësaj, vlerat e parashikuara të rritjes ndikohen negativisht edhe nga faktorë të brendshëm, si shtimi i tensioneve gjeopolitike, emigracioni, pasiguria zgjedhore dhe inflacioni i vazhdueshëm", thuhet në raport.

Sipas raportit, investimi në tranzicionin e gjelbër dhe përmirësimi i nivelit të jetueshmërisë së qyteteve në Ballkanin Perëndimor mund të ndihmojë gjithashtu në rigjallërimin e rritjes rajonale.

Për Shqipërinë, sipas BB-së, në vitin 2024 rritja ekonomike pritet të mbetet në 3,3 për qind, në kontekstin e kushteve të shtrënguara financiare në tregjet ndërkombëtare dhe rritjes së kufizuar ekonomike në Evropë.

"Zgjerimi i aktiviteteve të turizmit dhe ndërtimit pritet të nxisin rritjen e eksporteve, konsumit dhe investimeve me ritme të ngjashme me nivelet para pandemisë", thekson raporti, duku iu referuar Shqipërisë.

Sipas BB-së, aspiratat për anëtarësim e Shqipërisë në BE ofrojnë një shtysë të mirë për përshpejtimin e procesit të konvergimit ekonomik./aa