Është një nga vajzat më të qeshura të grupit kuqezi dhe njëkohësisht edhe një nga futbollistet më të talentuara që ka Shqipëria. Më 20 korrik bëri 17 vjeçe, por deri më tani numëron jo vetëm grumbullime me ekipet kuqezi të moshave dhe ekipin Kombëtar A, por edhe minuta në ndeshjet me Shqipërinë. Titullare e padiskutueshme me ekipin U-17 dhe U-19.

Xhesika Ndoj është një yll në rritje. Ka spikatur që e vogël dhe vazhdon ende të jetë në qendër të vëmendjes. Kur ishte 7 a 8 vjeçe shihte me të atin ndeshjet e futbollit në televizor, më pas nisi të luante në lagje me vëllain dhe shokët dhe në moshën 13 vjeçe u regjistrua tek ekipi i moshave të Apolonisë. Prej asaj dite, puna e përditshme dhe e madhe e Xhesit të vogël është shpërblyer me ftesa nga Kombëtarja dhe ekipi i parë i Apolonisë, ku luan si titullare çdo javë. Xhesi është 17 vjeçe, por në intervistën profil për rubrikën “Talenti Shqiptar” në fshf.org, duket sikur është 27 për mënyrën se si komunikon.

Është aktivizuar si mesfushore, ndërsa në minutat e luajtura në dy ndeshjet ndaj Estonisë dhe Luksemburgut, trajneri Armir Grima i besoi një vend në vijën e sulmit. Por kush është Xhesika Ndoj, futbollistja e Apolonisë dhe Kombëtares shqiptare? Ju ftojmë të lexoni intervistën e mëposhtme:

“Fillimi ka qenë shumë i vështirë për mua pasi gjatë paradites duhet të shkoja në shkollë dhe pasditen duhet ta ndaja mes futbollit dhe detyrave të shtëpisë. Më është dashur dhe më duhet edhe të mungoj në shkollë për shkak të ndeshjeve ose grumbullimeve duke lënë hapësira boshe në studimet e mia. Por kjo nuk më ka ndaluar të ndjek ëndrrën time dhe mund të them me plot bindje se ia kam dalë të krijoj balancën e duhur mes shkollës dhe futbollit. Kjo më së shumti falë mbështetjes së stafit të shkollës dhe shoqërisë sime, të cilën më kanë ndihmuar dhe nuk kam pasur boshllëqe në mësime. Edhe gjatë grumbullimeve jam përpjekur që t’i ndjek mësimet gjatë kohës së lirë” tregoi ajo.

 

“Nuk di nëse duhet ta them kështu, por për fat të keq ne jetojmë në një vend ku pjesa më e madhe e njerëzve e shikojnë ende futbollin si një lojë vetëm për djemtë. Edhe pse duhet të pranoj se prej 4 vitesh që unë luaj futboll vetë, shumë gjëra kanë ndryshuar. Në fillim ka qenë e vështirë pasi më është dashur të rritem në një fushë të dominuar nga gjinia e kundërt dhe nga frika se do të kritikohem gjithë kohës se nuk jam ‘mjaftueshëm e mirë’. Por kjo nuk më ka ndaluar dhe jam me fat që, që në hapat e mi të parë në futboll kam pasur mbështetjen e pakushtëzuar të familjes, të shoqërisë time. Siç e thashë, ishte im atë ai i cili më regjistroi vetë tek ekipi i Apolonisë së vajzave. Sigurisht, mami ka qenë pak më e tërhequr te kjo pjesë, si çdo nënë në fakt. Por së bashku me babin, të dy kanë qenë pranë meje në çdo ndeshje, në çdo fitore apo edhe humbje timen. Edhe kur kam pësuar dëmtime në lojë, ata të dy janë kujdesur çdo minutë për mua dhe jam me fat që nuk më penguan të luaj por më dhanë krahët e tyre dhe unë të fluturoj drejt ëndrrës sime”, tha ajo./ata