Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste komentoi sot konfliktin politik në Kuvend, ndërsa u shpreh se Partia Demokratike është katandisur në një cisternë të ndryshkur helmi që nuk i bën më asnjë punë as dreqit vetë”.
Gjatë fjalës së mbajtur në punimet e Kongresit Zgjedhor të PS-së, Rama u ndal te konflikti brutal politik që sipas tij, “na ka shoqëruar dhe e ka kthyer parlamentin shqiptar në shëmbëlltyrë acaruese për nervat e njerëzve të zakonshëm të këtij vendi dhe për këdo që politikën e sheh si mundësi për të dëgjuar e kuptuar atë që ndodh e mendojnë ata që janë të përfshirë në arenën e saj”.
“Ne mund të kemi plot arsye për të thënë se ai konfikt skandaloz në atë mexhelis që është prekja e përjavshme e nivelit më të ulët, nuk është faji ynë. Por ne nuk jemi sidoqoftë të pafajshëm. Faji ynë nuk është se jemi burimi i atij konflikti që dihet botërisht se kush është. I njëjti që e mori peng sa mundi e kurdo mundi Shqipërinë përmes duarsh të mbrapshta shqiptare sapo ajo u shpall shtet në vitin 1912. Tanimë e ka katandisur PD-në në një cisternë të ndryshkur helmi që nuk i bën më asnjë punë as dreqit vetë”, shtoi Rama.
Sipas tij, fajin për këtë klimë politike e ka i njëjti që ndot përditë ajrin e jetës politike duke çoroditur çdokënd që thith akoma atë ajër me pasionin e dasisë së vjetër.
“Ndërkohë që shkaqet e asaj dasie kanë vdekur me kohë e me vakt. Është i njëjti që helmon përditë turmën e tij të tkurrur si një sy i verbuar nga drita”, tha Rama.
“Faji ynë është se ne jo thjesht nuk e kemi bërë dot dallimin me bartësit e konfliktit në atë parlament të shëmtuar njësoj si fjalët e ulëta qwë derdhen aty pa hesap, por as nuk e kemi bërë të gjithë përpjekjen e duhur për ta bërë të qartë për të gjithë këtë dallim të domosdoshëm”, tha ai.
Rama theksoi se jeta parlamentare nuk është vetëm arena e seancave kuvendore, as nuk nis e mbaron në mbledhjet në dhomat e grindjeve në komisionet e Kuvendit./ata