Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës kanë nënshkruar marrëveshjen me Fondin Saudit për Zhvillim për përmbylljen e punimeve të rrugës magjistrale Prishtinë-Mitrovicë.

Me këtë rast, ministri i Financave, Hekuran Murati tha se marrëveshja kap vlerën e rreth 13 milionë eurove.

Murati tha se kjo rrugë është e rëndësishme për qytetarët e Kosovës, marrë parasysh që mesatarja e trafikut ditor në këtë rrugë është në nivelin prej 27 mijë automjeteve.

"Sot këtu jemi mbledhur bashkë me Fondin Saudit për Zhvillim për të nënshkruar marrëveshjen e radhës në kuadër të zbatimit të projektit që tashmë është në përmbyllje e sipër në fazën e parë dhe kjo fazë e re është për fazën e mbetur të rrugës. Marrëveshja kap vlerën 53 milionë rial saudit apo ekuivalent me rreth 13 milionë euro. Pjesa tjetër është bashkëfinancim nga Qeveria e Kosovës", theksoi Murati.

Ai falënderoi Fondin Saudit për Zhvillim për mbështetjen dhe ritheksoi përkushtimin e Qeverisë për thellimin e partneritetit me Mbretërinë Saudite për zhvillimin ekonomik të vendit.

Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka thënë se ky projekt është i rëndësishëm duke marrë parasysh vëllimin e trafikut dhe është i veçantë sepse është projekti i parë që mbështetet nga Fondi Saudit për Zhvillim.

"Me këtë marrëveshje, Fondi Saudit për Zhvillim do të mbështes projektin për përmirësimin e rrugës nacionale Prishtinë-Mitrovicë prej rreth 13 milionë eurosh ku përfshihet segmenti që fillon nga Smrekonica (Vushtrri) deri në Mitrovicë, me një gjatësi prej 5 kilometrash. Ky segment është pjesë e projektit nacionale Prishtinë-Mitrovicë", theksoi Aliu.

Për rëndësinë e këtij projekti foli edhe drejtori ekzekutiv në Fondin Sovran për Zhvillim, Sultan A.Almarshad.

Ai tha se Marrëveshja do ta zgjeroj rrugën në dy anët dhe do të zvogëloj trafikun dhe do të zvogëloj aksidentet.

"Kjo marrëveshje është një testament për mbështetjen tonë të vazhdueshme për zhvillimin e qëndrueshëm të infrastrukturës në Kosovë", theksoi Almarshad.

Kontratën për këtë rrugë e ka fituar konsorciumi i përbërë nga dy kompani, një nga Kosova dhe tjetra nga Bullgaria./aa