Ish-zëdhënësi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Jakup Krasniqi në ditën e tretë të gjykimit në Hagë ka mohuar të gjitha akuzat e Prokurorisë, duke theksuar se nuk e kupton logjikën e aktakuzës ndaj tij.

 

 

Në fjalën e tij, Krasniqi është shprehur se asnjëherë nuk ka qenë i përfshirë në asnjë vrasje, në asnjë burgosje apo në asnjë formë të presionit ndaj kujtdo qoftë.

 

“Çdo njeri që flet të vërtetën le të thotë se unë Jakup Krasniqi asnjëherë s’kam qenë i përfshirë në asnjë vrasje e në asnjë burgosje apo në asnjë formë të presionit ndaj kujtdo qoftë. E kam pasur të qartë se cilat mjete duhet të përdoren për të realizuar çlirimin kombëtar në luftën kundër atyre që ushtruan gjenocid ndaj nesh”, ka deklaruar ai.

 

 

Ai ka theksuar se i duket absurde që Gjykata Speciale në Hagë e akuzon për persekutimin e anëtarëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

 

 “Është absurde të akuzohem për persekutimin e anëtarëve të LDK-së ose si pjesë e një qëllimi të përbashkët për të sulmuar LDK-në. Unë vetë kam qenë anëtar i LDK-së, familjarët e mi ishin anëtarë të LDK-së edhe bashkëluftëtarët e mi ishin anëtarë po ashtu”, është shprehur Krasniqi.

 

Sipas tij, vetëm një mendjeje të çoroditur mund t’i ketë lindur ideja se ai ka marrë pjesë në persekutimin e familjarëve dhe bashkëluftëtarëve të tij.