Gjysmëhëna e Kuqe Palestineze njoftoi se 3 pacientë humbën jetën për shkak se forcat izraelite penguan për rreth një javë hyrjen e oksigjenit në spitalin Al-Amal që ndodhet në qytetin Khan Younis në jug të Rripit të Gazës.

Në një deklaratë me shkrim nga Gjysmëhëna e Kuqe Palestineze, lidhur me çështjen thuhet se forcat izraelite kanë dëmtuar produktet mjekësore në spitalin Al-Amal të cilin e mban të rrethuar prej 21 ditësh. Bëhet e ditur se forcat izraelite arrestuan 9 persona ndërsa 40 nga 7 mijë civilët e strehuar në spital ende ndodhen aty dhe se luftojnë me vdekjen.

Ushtarët izraelitë hapin vazhdimisht zjarr ndaj spitalit dhe pengojnë lëvizjen e njerëzve, thuhet në deklaratën ku mohohen pretendimet se forcat izraelite kanë lejuar hyrjen e produkteve mjekësore në spital. Më tej vihet në dukje se 3 pacientë humbën jetën për shkak se ushtarët prej një jave pengojnë hyrjen e oksigjenit.

Gjysmëhëna e Kuqe Palestineze njoftoi se ushtarët izraelitë dje "vodhën" çelësat e ambulancave dhe të gjitha automjeteve që i përkisnin administratës në spitalin Al-Amal. Ushtarët izraelitë këtë e kanë bërë për të penguar që ambulancat të ofrojnë shërbim, thuhet në deklaratë ku tërhiqet vëmendja se një ditë më parë ata arrestuan 18 persona, përfshirë 8 anëtarë të personelit shëndetësor./aa