Autoriteti i Konkurrencës vendosi hapjen e procedurës së hetimit paraprak në tregun e grumbullimit dhe shitjes me shumicë të fruta-perimeve, për të parë nëse ka, ose jo, shkelje të ligjit “Për mbrojtjen e konkurrencës”, në qarqet, Tiranë, Elbasan, Berat, Fier dhe Korçë.

Në raport thuhet se pikat e shumicës shtrenjtuan çmimet kur ua shitën bizneseve të pakicës.

Sipas njoftimit të AK-së, referuar strukturës së tregut, sjelljes së ndërmarrjeve grumbulluese dhe diferencave të mëdha në zinxhirin e vlerës së produktit nga prodhuesit, grumbulluesit, shitësit me shumicë deri tek konsumatori fundor, mund të jemi para nje sjelljeje antikonkurruese si pasojë e marrëveshjeve dhe/ose praktikave të bashkërenduara ndërmjet dy ose më shumë ndërmarrjeve që operojnë në tregun e grumbullimit dhe shitjes me shumicë të fruta-perimeve, në shkelje të ligjit “Për mbrojtjen e konkurrencës”.

Për këto arsye, Komisioni i Konkurrencës, vendosi hapjen e procedurës së hetimit për këto ndërmarrje.

“Hetimi paraprak përfshin periudhën kohore nga 1 Janar 2023 deri në 31 Maj 2024”, njofton AK-ja./ata