Gjykata e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit i ka hequr masën e sigurisë “Pezullimi i ushtrimit të një detyre apo shërbimi publik”, ndaj ish-kryetares së Bashkisë së Patosit, Rajmonda Balilaj.

Ish-kryebashkiakja e Patosit dhe të pandehurit Anisa Petani, Shkëlqim Beqiraj, Enirjada Rizaj, akuzohen nga SPAK per vepren penale “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, e kryer në bashkëpunim në dy raste. Ndërkohë pjesë e dosjes hetimore të SPAK, janë dhe tre të pandehur të tjerë: Vangjel Nushi, Boreta Murati, Arben Manoku, të cilët akuzohen për “falsifikim dokumentesh”.

GJKKO njoftoi sot se,  Rajmonda Balilaj më datë 26.07.2024 ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Deklarimin e humbjes së fuqisë së masës së sigurimit të caktuar me vendimin nr.19 datë 08.03.2024, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, verifikuar me vendimin nr.30 datë 21.03.2024, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, dhe heqjen e menjëhershme të saj”.

Pas shqyrtimit të kësaj kërkese, në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Atalanta Zeqiraj, Flora Hajredinaj dhe Erjon Çela me vendimin Nr.466, datë 29.07.2024, vendosi: Pranimin e kërkesës dhe konstatimin e shuarjes së masës së sigurimit ndalues “Pezullimi i ushtrimit të një detyre apo shërbimi publik”, caktuar ndaj të pandehurës Rajmonda Balilaj nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me vendimin nr.19 datë 08.03.2024.

GJKKO sqaron se, kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar brënda 5 ditëve, afat i cili fillon të llogaritet nga e nesërmja e marrjes dijeni lidhur me vendimin e arsyetuar.

Balilaj drejtoi Bashkinë e Patosit për periudhën 2011-2023 dhe më pas u emërua në pozicionin e Prefektes së Qarkut Fier, funksion nga i cili u pezullua me vendimin të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë në muajin mars./ata