Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se, porti i Durrësit në qendër të qytetit është një plagë mjedisore.

Në fjalën e tij në hapjen e garës për ndërtimin e portit të ri në Porto Romano, Rama u shpreh se, “projektet nuk nisin në momentet kur ato publikohen si sot në formën e thirrjes për shprehje interesi nga kompanitë. Projektet e mëdha nisin kur fillon i gjithë procesi në tryezë i mbledhjes së të dhënave, i krijimit të gjithë grupit të nevojshëm të ekspertëve, i projektimit, i oponencës. Është një histori gjithmonë shumë më e gjatë sesa dëshira dhe nganjëherë sesa limite te durimit, pasi normalisht qytetarët dëgjojnë dhe presin dhe durimi, e para nuk është ndër virtytet e shqiptarëve dhe e dyta në kohët tona është një nga mallrat më të rrallë”.

Por, shtoi kreu i qeverisë, nga ana tjetër është shumë e mirëkuptueshme për shqiptarët, sepse kanë pritur shumë, jashtëzakonisht shumë, kanë pritur shekuj që më në fund të bëjnë zgjedhjen e tyre. Gjithmonë kanë jetuar nën zgjedha që kanë ardhur si rezultat i zgjedhjes së të tjerëve për ta. Dhe për herë të parë në histori shqiptarët në këto 30 e kusur vite jetojnë me zgjedhjen e tyre. Kanë zgjedhur që ky vend të bëhet më në fund pjesë e familjes së bashkuar të vendeve të lira dhe demokratike”.

Por nga ana tjetër, tha Rama, “nga momenti i asaj zgjedhje deri tek zgjidhjet është një histori më vete, sepse e shkuara është një barrë shumë e madhe në të gjitha kuptimet për ne. E shkuara jonë është njësoj si porti i Durrësit në qendër të qytetit. Një port, i cili është një plagë, një plagë mjedisore, një plagë fizike që ka bërë në vazhdimësi dëm të madh për perspektivën dhe për imazhin, por edhe një plagë në aspektin socio-ekonomik, sepse e dimë shumë mirë që gjithë ajo rrëmujë dhe gjithë ai kaos për shumë e shumë vite ka qenë edhe një zonë e errët e veprimtarive të paligjshme dhe kriminale”./ata