Fondet e mbështetjes për bujqësinë dhe agropërpunimin po shtojnë numrin e fermerëve përfitues në zona të ndryshme të vendit, të cilët po rrisin investimet në biznesin e tyre bujqësor.
Marsel Bejko bashkë me familjen e tij kanë ngritur me pasion e përkushtim kantinën e prodhimit të verës në Përmet, që sot është pika kyçe e tregut për rreth 40 fermerë, të cilët sjellin rrushin e tyre për përpunim.
Përmes mbështetjes nga Agjencia e Zhvillimit Bujqësor dhe Rural, Kantina “Bejko” ka instaluar një linjë të re përpunimi të rrushit me makineri dhe pajisje bashkëkohore, duke mundësuar rritjen e kapaciteteve përpunuese dhe që fermerët e zonës të shesin shumë më shumë se dje prodhim nga vreshtat e tyre.
Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca u shpreh se, kantina “Bejko” është mbështetur me grant nga programi IPARD, financuar nga BE dhe qeveria shqiptare, gjithashtu edhe nga masa e naftës për bujqësinë e Skemës Kombëtare.
“Mbështesim fermerët dhe prodhuesit tanë për uljen e kostove dhe rritjen e cilësisë së prodhimit, për ti bërë ato të konkurrueshme në tregun dhe vendas dhe të huaj, duke i dhënë vlerë të shtuar prodhimit ‘made in Albania’ dhe më shumë të ardhura për ekonominë rurale”, tha Krifca.
Marseli 44-vjeçari nga Piskova e Përmetit, tregon se janë të lidhur familjarisht me bujqësinë.
“Babai im është agronom dhe ai më ka orientuar të zgjedh vreshin dhe verën që duht të prodhoj. Ne prodhojmë verë të bardhë nga rrushi debinë, që është verietet autokton i zonës së Përmetit de verë të kuqe merlot”, shprehet Marseli.
“Synimi im është të prodhoj verën më të mirë të vjetëruar”, thotë Marseli.
Kantina “Bejko” ndodhet buzë rrugës nacionale, në fshatin Piskovë, Përmet. Në mes të vreshtave të njohura të Piskovës, konstruktuar në vazhdimësi të kantinave tradicionale, ofron prodhime tipike me cilësi. Pas një aktiviteti shumëvjeçar Bejko është konsoliduar në rrjetin tregtar në të gjithë vendin nëpërmjet cilësisë dhe sasisë së prodhimit. Përpunimi i rrushit, prodhimi i verës dhe ruajtja në kantinë bëhet në kushte natyrale. Varietetet e rrushit që përpunohen janë të grumbulluara në rrethin e Përmetit.