Të paktën 54 persona e kanë humbur jetën në rrëshqitjet e dheut të shkaktuara nga shirat intensivë në rajonin Kerala në jug të Indisë.
Sipas lajmeve në shtypin e Indisë, autoritetet e rajonit Kerala kanë njoftuar se dyshojnë që dhjetëra persona kanë mbetur nën dhe në rrëshqitjet e shumta të dheut të shkaktuara pas reshjeve të dendura në zonën Wayanad.
Autoritetet thanë se në rrëshqitjet e dheut kanë humbur jetën 54 persona dhe se vazhdojnë punimet e kërkim-shpëtimit dhe proceset e evakuimit.
Kryeministri i Indisë, Narendra Modi nga llogaria e tij X shkroi: "Lutjet e mia janë me të gjithë të plagosurit dhe ata që kanë humbur të dashurit e tyre".
Duke vënë në dukje se ka kontaktuar me kreun e rajonit të Keralas, Pinarayi Vijayan, kryeministri Modi tha se do të japin mbështetje "me çdo lloj ndihme të mundshme" lidhur me katastrofën.
- Infrastruktura ka pësuar dëmtime të rënda
Forca Kombëtare e Reagimit ndaj Fatkeqësive (NDRF) tha se një ekip dhe helikopterë nga ushtria indiane u caktuan për të ndihmuar në përpjekjet e kërkim-shpëtimit të kryera nga vullnetarët lokal.
Rrëshqitjet e dheut kanë shkaktuar dëme serioze në infrastrukturë dhe rrugë ndërsa janë shkatërruar 200 shtëpi në fshatin e prekur Chooralmala.
Përpjekjet e kërkim-shpëtimit janë ngadalësuar për shkak të kushteve të pafavorshme atmosferike në rajon dhe se shumë banorë të rajonit janë evakuuar në vende të sigurta.
Zyrtarët e rajonit kanë vënë në dukje se ura kryesore në rajon është shkatërruar për shkak të fatkeqësisë dhe se ushtria u mobilizua për të ndërtuar një urë të përkohshme./aa