Presidenti Bajram Begaj ka dekretuar vendimin për shkarkimin e tre ministrave dhe emërimin e tre të tjerëve në kabinetin qeveritar Rama. Kryeministri Edi Rama njoftoi të dielën ndryshimet në qeveri, gjatë Kongresit Zgjedhor të PS-së. Begajt iu deshën dy ditë për të miratuar këto ndryshime, duke nxjerrë dhe dekretet. Kujtojmë se sot në orën 18:00 do të mblidhet Kuvendi në një seancë të posaçme, për të miratuar këto ndryshime.
DEKRETI
Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Sh. T. Z. Bajram Begaj, në zbatim të kompetencave të tij kushtetuese, mori në shqyrtim propozimin e Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, Sh. T. Z. Edi Rama, të datës 28 korrik 2024, për shkarkimin dhe emërimin e disa ministrave.
Në përfundim të procedurës së shqyrtimit, Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Bajram Begaj, dekretoi sot, më 30 korrik 2024:
Shkarkimin e Ministrit të Brendshëm, z. Taulant Balla;
Shkarkimin e Ministrit të Mbrojtjes, z. Niko Peleshi;
Shkarkimin e Ministrit të Financave, z. Ervin Mete;
Shkarkimin e Ministrit të Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, znj. Elisa Spiropali;
Emërimin e Ministrit të Brendshëm, z. Ervin Hoxha;
Emërimin e Ministrit të Mbrojtjes, z. Pirro Vëngu;
Emërimin e Ministrit të Financave, z. Petrit Malaj;
Emërimin e Ministrit të Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, z. Taulant Balla, (Largohet Elisa Spiropali, e cila zëvendëson Lindita Nikollën si kryetare e Parlamentit)./BalkanWeb