Inspektorati Shtetëror i Mbikëqyrjes së Tregut (ISHMT) po vijon kontrollet në treg për garantimin e sigurisë së produkteve për konsumatorët dhe mbrojtjen e pronësisë intelektuale.

 

ISHMT, krahas informimit të konsumatorëve mbi të drejtat e tyre për të pasur produkte, pajisje apo instalime të sigurta, po punon edhe për rritjen e ndërgjegjësimit të operatorëve ekonomikë mbi kriteret ligjore që duhet të zbatojnë në fushën e sigurisë së produkteve joushqimore, pronësisë intelektuale, si dhe të konsumatorëve mbi të drejtat e tyre.

 

ISHMT ka realizuar përgjatë kësaj jave inspektime në 62 operatorë ekonomikë për sigurinë e produkteve elektrike, për sigurinë e ashensorëve në përdorim, për sigurinë e lodrave, për mbrojtjen e pronësisë intelektuale, për metrologjinë dhe për mbrojtjen e konsumatorit.

 

Për sigurinë e ashensorëve, trupat inspektuese të ISHMT-së kryen gjatë kësaj jave 7 inspektime.

 

Njëkohësisht u kryen 3 inspektime për të siguruar zbatimin e ligjit për mbrojtjen e pronësisë industriale, ndërsa për të siguruar zbatimin e ligjit për të drejtën e autorit janë kryer 10 inspektime.

 

Inspektorët e ISHMT-së pranë sektorit kimik kryen 12 inspektime, nga të cilat 6 për kontrollin e veshjeve të këmbës dhe tekstile 5 inspektime. Një inspektim është kryer mbi bazë ankese për sigurinë e përgjithshme.

 

Gjatë kësaj jave, sektori i Metrologjisë ka kryer 15 inspektime të subjekteve që tregtojnë me pakicë produkte të paketuara, të subjekteve prodhues dhe importues të parapaketimeve. Gjatë inspektimeve të produkteve të parapaketuara është bërë edhe kontrolli i instrumenteve matëse ligjërisht të kontrolluara që kanë në përdorim prodhuesit apo importuesit e produkteve të parapaketuara (kryesisht peshore dhe dozatorë).

 

Inspektimet e produkteve elektrike përfshijnë inspektimet për produkte që mbulohen nga një rregull teknik si: frigoriferë, makina larëse, kondicionerë, furra shtëpiake, aspiratorë, aparate marrëse televizive, si dhe produkte që nuk mbulohen nga një rregull teknik si: adaptorë, priza dhe spina shtëpiake, etj. Gjatë kësaj jave, në këto grup-produkte janë kryer në total 13 inspektime.

 

Edhe kontrollet në kuadër të taskforcës, ngritur me urdhër të Kryeministrit për verifikimin e përdorimit të qeseve, konform legjislacionit nga subjektet tregtare, janë shtuar.