Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu mblodhi në një takim dyditor drejtues të spitaleve që do të aplikojnë autonominë spitalore për herë të parë.

Koçiu gjatë këtij takimi bëri të ditur se autonomia spitalore vijon të jetë pjesë e axhendës së Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, si një reformë që sjell përfitime për spitalet, mjekët dhe mbi të gjitha, për qytetarët.

“Gjatë këtyre dy ditëve, diskutuam me drejtuesit e spitaleve që do të aplikojnë autonominë për herë të parë, duke ndarë përvojat më të mira nga drejtuesit dhe përfaqësuesit e strukturave drejtuese të spitaleve që tashmë kanë përfituar kartën e autonomisë menaxheriale”, tha ajo.

Ministrja theksoi se së bashku me ekspertë të Organizatës Botërore të Shëndetësisë është punuar për draftimin e një udhërrëfyesi dhe përcaktimin e treguesve të rezultateve prioritare për arritjen e objektivave në muajt në vijim.

Autonomia spitalore është një mënyrë e re menaxhimi dhe financimi të spitaleve, për të çuar në një tjetër nivel cilësinë dhe dhënien në kohë e shërbimeve për qytetarët. Ligji i ri për shërbimin spitalor i ka hapur rrugë një ndryshimi të shumëpritur për shërbimin spitalor publik dhe jo publik, duke i dhënë së pari mundësinë spitaleve publike të kenë mekanizmat e duhur ligjor dhe rregullator për t’u vetadministruar për nga pikëpamja menaxheriale dhe financiare.

Karta e Autonomisë Manaxheriale u pilotua për herë të parë në Spitalin Memorial të Fierit në mars të vitit të kaluar, ku me fillimin e punës si një qendër autonome, ky spital shënoi rritje në të gjithë treguesit kryesorë të tij.

Në muajin janar të këtij viti u dorëzuan kartat menaxheriale për QSUT dhe 4 spitale rajonale./ata