Në qendrën shëndetësore verore të Tales në Lezhë nga 1 qershori deri tani kanë marrë shërbim mjekësor rreth 700 qytetarë.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu vizitoi nga afër këtë qendër shëndetësore verore, ku u takua me doktoreshë Sarën dhe stafin e përkushtuar të qendrës, e cila qëndron hapur 24/7.

“Kjo qendër shëndetësore sezonale ofron ndihmë dhe kujdes për pushuesit vendas dhe të huaj që kanë zgjedhur bregdetin e Tales për pushimet e tyre. Përkushtimi dhe profesionalizmi i stafit këtu kanë bërë të mundur që, nga 1 qershori deri më sot, të marrin shërbim mjekësor rreth 700 qytetarë, duke tejkaluar numrin e vizitave të vitit të kaluar”, tha Koçiu.

Doktoreshë Sara tha se “pasi mora provimin e licencës u bë thirrja nga ju për mjekët e qendrës verore dhe sigurisht kisha dëshirën dhe kënaqësinë duke dëgjuar edhe nga kolegët dhe mikeshat e mia që e kishin provuar më parë si eksperiencë”.

Një tjetër mjeke e qendrës tha se “kryesisht vijnë pacientë të sëmurë kronikë si dhe u japim këshilla për të përballuara temperaturat e larta”.

Drejtoresha e Operatorit të Shërbimit të Kujdesit Shëndetësor Jeta Deda tha se “në Tale këtë vit kanë marrë shërbim rreth 26% pushues. Ka pasur një shtesë, pasi shumica e pushuesve që vijnë nga Kosova janë ndarë mes Shëngjinit dhe Tales këtë vit për shkak të shtimit të strukturave akomoduese në sezon, ndaj Talja ka marrë edhe një numër shtesë pushuesish që vijnë këtu”./ata