Ardita Sinani është zgjedhur kryetare e re e Komunës së Preshevës, komunës më të madhe me shqiptarë në territorin e Serbisë.

Disa javë pas zgjedhjeve në Luginë të Preshevës, partitë politike shqiptare, respektivisht Partia për Veprim Demokratik e udhëhequr nga Ardita Sinani së bashku me Partinë Demokratike Shqiptare dhe Unionin Demokratik Shqiptar u dakorduan për një koalicion të përbashkët me kryetare Sinanin.

Sinani deri më tani ka shërbyer si këshilltare për Luginën e Preshevës e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

Partia të cilën e udhëheq ajon fitoi më së shumti mandate në kuvendin komunal të Preshevës, në zgjedhjet e përsëritura lokale, të mbajtura edhe në jug të Serbisë, më 2 qershor 2024.

Deputeti i vetëm shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, tha se me emërimin e Sinanit për kryetare, Presheva po distancohet nga politikat e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.

“Më në fund, Presheva bën distancim nga bashkëpunimi me politikat e Vuçiqit”, shkroi Kamberi në rrjetet sociale.

Komuna e Preshevës i ka mbi 33 mijë banorë, ndërsa sipas regjistrimit të fundit të popullsisë shqiptarët janë minoriteti i katërt më i madhi në numër, me rreth 61 mijë shqiptarë të regjistruar./aa