Gjatë 24 orëve të fundit në Shqipëri janë regjistruar disa vatra zjarri në zona të ndryshme të vendit, ndërkohë sipas autoriteteve në fshatin Mal Shëngjin në Qarkun e Lezhës situata është problematike.
Në një njoftim nga Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë thuhet se si pasojë e erës së fortë zjarri në Mal Shëngjin është përhapur, duke rrezikuar edhe zonat e banuara dhe bizneset në zonë.
Sipas ministrisë, janë marrë masat për evakuimin e disa bizneseve dhe zonave të banuara, ndërkohë janë dëmtuar edhe disa biznese.
Për shuarjen e zjarrit në këtë zonë janë angazhuar dhjetëra mjete zjarrfikëse, si dhe forca të tjera operacionale dhe helikopterë, ndërsa vazhdojnë operacionet për shuarjen e zjarrit.
"Pas kërkesës drejtuar Mekanizmit Evropian të Mbrojtjes Civile pritet të mbërrijnë dy avionë Canadair për ndërhyrje nga ajri. Situata vijon të mbetet problematike pavarësisht gjithë angazhimit në nivel kombëtar", thuhet në njoftim.
Ndërkohë, vatra zjarri aktive ka edhe në disa qarqe të tjera të Shqipërisë.
Autoritetet u kanë bërë thirrje banorëve të bashkëpunojnë me forcat e policisë dhe zjarrfikësit në rast nevoje për evakuim./aa