Pak orë pasi u votua në Parlament, si Kryetare e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali, ka marrë dhe urimet e para.
Fillimisht ishte Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca,i cili uroi Kryetaren e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali, me rastin e zgjedhjes. Në një postim në rrjetet sociale ai thekson se bashkëpunimi mes dy vendeve, duhet të thellohet më tej, në shërbim të qytetarëve të dy vendeve.
“Mezi pres që të nisim punën e përbashkët për të vijuar dhe thelluar edhe më tej bashkëpunimin mes kuvendeve tona, duke i shërbyer interesit të përbashkët të shteteve tona, të qytetarëve tanë dhe popullit tonë”, shkruan Konjufca.
Ai shton se, “Republika e Kosovës dhe Republika e Shqipërisë natyrshëm janë pranë njëra-tjetrës në çdo rrethanë e në secilën fushë, duke përfshirë edhe atë politike”.
“Është detyra jonë si politikanë dhe krerë institucionesh që ta vijojmë punën tonë dhe të institucioneve tona në nivel të kësaj natyrshmërie. Jam i bindur se në këto parime do ta kemi të drejtuar bashkëpunimin tonë me znj. Spiropali, si krerë të institucioneve legjislative dhe të gjithë punën që ndërlidhet me këto institucione”, nënvizon Konjufca.
“Punë të mbarë e suksese sa më të mëdha për znj. Elisa Spiropali në këtë detyrë të re e të rëndësishme në krye të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë!”, shkruan z. Glauk Konjufca.
Më tej, ishte edhe Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, uron Kryetaren e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali, me rastin e zgjedhjes
“Urime znj. Elisa Spiropali për zgjedhjen Kryetare e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë. Në pritje të bashkëpunimit të shkëlqyer mes dy Kuvendeve tona.”, shkruan Kryetari Gashi./ata