Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha zhvilloi sot një takim me ambasadorin Michel Tarran, kryetar i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri.
Në një postim në rrjetet sociale, ministri Hoxha ndau detaje nga takimi.
Gjatë bisedës, u shqyrtuan projektet e zbatuara dhe ato të reja në fushën e sigurisë, përfshirë trajnimet për Njësitë Alpine për ndërhyrje në raste fatkeqësish natyrore dhe iniciativat për edukimin e të rinjve për t’u qëndruar larg dukurive e aktiviteteve kriminale.
Një nga temat e diskutimit ishte dhe procesi zgjedhor, njoftoi Hoxha.
“I shpjegova ambasadorit Tarran detyrimet që ka Ministria e Brendshme dhe institucionet në varësi të saj, në zbatim të Kodit Zgjedhor. Gjithashtu, vlerësova bashkëpunimin dhe ndihmën e vazhdueshme të OSBE-së lidhur me trajnimet për procesin zgjedhor”, shkruan Hoxha.
“Përfshirja për herë të parë e shtetasve shqiptarë që jetojnë jashtë Republikës së Shqipërisë në procesin e ardhshëm zgjedhor ishte gjithashtu një temë e rëndësishme e diskutimit të përbashkët”, bëri të ditur ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha./ata