Më 8 shkurt të vitit të kaluar, vizita në Tiranë e admiral Rob Bauer, autoritetit ushtarak më të lartë të NATO-s, kaloi pa vëmendje mediatike.

Admirali jo pak i lakuar i NATO-s, i cili tronditi opinionin së fundi me deklaratën e fortë se lufta me Rusinë është një mundësi reale dhe për këtë të gjithë duhet të përgatiten, mbajti një leksion me kursantë të Kolegjit të Mbrojtjes dhe Sigurisë.

 

Kryetari i Komitetit Ushtarak i NATO-s, u ndal gjatë në fjalën e tij para ushtarakëve shqiptarë në kapacitetet prodhuese të industrive në fushën e Mbrojtjes. Lufta në Ukrainë tregoi si kurrë më parë rëndësinë që ka industria ushtarake për Aleancën. Kompanitë që janë pjesë e industrisë së mbrojtjes sot janë “mbytur” nga porositë që vërshuan si kurrë më parë në tre dekadat e fundit. Një ngritje e vetëdijes për mobilizim dhe armatim është duke ndodhur në të gjitha anët.

“Mendoj se hapi i parë do të ishte një rishikim tërësor i strategjisë së sigurisë në Republikën e Shqipërisë. Është strategjia e sigurisë kombëtare, ajo e mbrojtjes, të cilat diktojnë mënyrën se çfarë një vend do të bëjë me veten e vet. Ku e shikojmë veten ne rajon, çfarë pozicioni kemi, jemi te fortët jemi te dobëtit, apo ku duam ta shikojmë vendin disa vite më vonë. T’i rivlerësosh rreziqet dhe kërcënimet që po ndodhin në rajonin dhe më gjerë mund të shkosh në ndonjë përgjigje po të nxituar që i kapërcen ndjeshëm mundësitë e tua ekonomike, financiare, politike, burimore, etj. Unë jam për një qasje të balancuar,- u shpreh gjeneralmajor (R) Jeronim Bazo, Ish-Shef i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura.

“Lufta në Ukrainë tregoi që Europa në masë të madhe ishte e papërgatitur për këtë luftë. Pasojat e luftës e risollën vëmendjen drejt ushtrisë. Shqipëria ka nevojë për një lloj strategjie ushtarake është mëkëmbur dhe është anashkaluar në një masë të madhe. Lufta në Ukrainë tregoi se nëse vjen një luftë e madhe në Europë, të gjithë duhet të jenë të gatshëm për të kontribuar”- u shpreh Dr. Ledion Krisafi, ekspert i çështjeve ndërkombëtare.

Industria ushtarake shqiptare, e cila si fillim u krijua nga nevoja me disa punishte e ofiçina të vogla empirike u rrit në një industri solide ushtarake që mbante në këmbë një makineri të rënde luftarake me shtatë korpuse gjitharmëshe dhe me dy grupime te mëdha operative, me Flotën Luftarake Detare me rreth 400 anije dhe Flotën Ajrore me rreth 240 helikopterë dhe avionë luftarak, 1300 tanke dhe transportues te blinduar dhe të gjitha mjetet e ndryshme të llojeve të armëve dhe shërbimeve.

Padyshim ishte një arsenal i rëndë i cili kërkonte resurse të mëdha financiare për t’i mbajtur në gatishmëri të plotë luftarake.
Industria ushtarake mbështeste armatimin dhe municionet në të gjitha strukturat ushtarake te cilat për 20 deri në 30 minuta ishin te gatshme për luftim në vijën e kufirit shtetëror.

Për 72 orë Shqipëria rreshtonte me armatim gati për luftë 750.000 ushtarë. Vendi ishte përgatitur për një sulm të mundshëm nga ata që i quante armiq.

Përpara viteve ‘90 ushtria shqiptare përbehej nga 16.500 oficerë, 9.000 nënoficerë, 60.000 ushtarë aktivë, 8.000 civilë, 450.000 rezerviste dhe 230.000 forca vullnetare dhe si rini shkollore dhe universitare te armatosur. E gjitha ishte mbështetur në strategjinë ushtarake të asaj kohe.

“Duhet të kuptojmë që industria ushtarake gjithmonë si rregull është ajo që mbështet objektivat strategjike të mbrojtjes të një vendi. Për këtë qëllim edhe në atë kohë është ngritur industria jonë e ashtuquajtur Industria jonë ushtarake. Ju përmendët Mjekësin, Poliçanin, por mos të harrojmë se ato janë ndërtuar dhe ekzistonin në një kohë kur ne kishim një strategji tjetër dhe shikonim një rrezik eminent, ishim kthye ne një vend ku gjithë populli ishte ushtar, ku gjithkush ishte i armatosur dhe si rrjedhoje kishte nevoje për një mbështetje te industrisë ushtarake për ta mbajtur gjallë këtë armatim që ishte në te gjithë popullatën. Kemi qenë vendi me më shumë instalime ushtarake para viteve ’90 për territor dhe për fryme në botë. Për t’i dhënë fryme kësaj strategjie me gjithë paranojën e saj u bë e nevojshme ngritja e Mjekësit, Gramshit dhe Poliçanit, ato u ngritën në bashkëpunim me aleancat që ne kishim në atë kohë se ne nuk kishim kapacitete. Për t’i rivitalizuar ngrihen disa pyetje pasi edhe ekonomia edhe njerëzit do të punësoheshin”, tha Bazo.

“Pas rënies së komunizmit, industria ushtarake në vend pothuajse është shkatërruar, është shpartalluar totalisht. Sot kanë mbetur vetëm karikatinat e asaj që kanë qenë në vitet ‘60 dhe ‘70. Kam përshtypjen se ka nevojë për një investim shumë të madh për tu rikthyer në gjendjen e duhur për të prodhuar, dhe për të plotësuar nevojat e Shqipërisë. Përshtypja ime është që vetë qeveria shqiptare nuk e bën dot pasi mund ta kishte bëre edhe më përpara”, tha Krisafi.

Ministria e Mbrojtjes prej kohesh ka bërë përpjekje të rifillojë aktivizimin e industrisë ushtarake dhe në veçanti në Kombinatin Mekanik Poliçan, në Mjekës dhe në Uzinën Mekanike Gramsh.

Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi gjatë komisionit parlamentar të sigurisë u shpreh se Agjencia e Prokurimeve e NATO-s (NSPA) ka kryer një studim fizibiliteti për këtë qëllim.

“Nuk është për t’u mburrur qe nuk kemi industri ushtarake, dikur e kishim por mendonim që nuk do na kthehej dita kur do të militarizoheshim, demilitarizimi ka qenë kryefjalë. Tani ka ardhur momenti ta rivitalizojmë industrinë ushtarake. Këtë nuk mund ta bëjë MM por e duam edhe për eksport. Jemi të hapur edhe në kuadër të NATO-s ne marrin pjesë për të tërhequr investitore edhe në fjalën time ne NATO e kam theksuar këtë pjesë.

Kemi një material të besueshëm dhe shume serioz nga NSPA Agjencia e prokurimeve te NATOs. Nje studim parafizibiliteti dhe e dimë sa para do duheshin për të risjellë në jetë industrite ushtarak. Kërkesa e Shqipërisë për të ringjalluar industrinë ushtarake duket se vjen në momentin e duhur. – u shpreh gjatë komisionit parlamentar të sigurisë ministri i mbrojtjes Niko Peleshi.

Kërkesa e Shqipërisë për të ringjalluar industrinë ushtarake duket se vjen në momentin e duhur.

“Deklarimin e ministrit të Mbrojtjes, unë e shikoj me vend, ai është udhëheqësi politik në FA, në këndvështrimin e tij mirëdashës është për t’i dhënë një këndvështrim dhe një hap për ta hapur ofertën për partnerët dhe aleatet tonë, që shiko ne kemi një lloj baze sado e vjetër është ajo, kështu e lexoj unë nën rreshta. Është e domosdoshme në këndvështrimin tim që investitori të jenë nga vendet aleate. Pra ministri thotë qe nese aleanca ka nevoje qe aleatet të investojnë me përfitimet reciproke. Dhe ne na bën mire dhe atyre ju ben mirë. Deri këtu e shikoj nuk është se i përgjigjet ndonjë strategjie konkrete qe do të prodhojmë këtë armatimi të rëndë apo të lehtë. Por kujdes se e fut vendin në një telash në afatgjatë. Ndaj jemi pjesë e NATO-s. Me figurat kryesore të Aleances unë do e bëja bashkëpunimin, por me të tjerët do matesha mirë do thosha jo qoftë edhe për të rivitalizuar industrinë pasi mund te çohet Kina Popullore do dukej interesante oferta dhe joshëse, po jo nuk duhet!”, tha Bazo.

“Është në kohën e duhur deklarata e Peleshit, ajo që ndodhi në Ukrainë, i shkatërroi të gjitha ëndrrat liberale, pacifiste që mund të kenë jo vetëm shqiptarët por edhe gjithë Europa. Tregoi që nevoja për një industri ushtarake tonën është e jashtëzakonshme. Por unë besoj se kjo më shumë është një direktivë e NATO-s sesa është një direktive e Shqipërisë për NATO-n sepse Shqipëria është shumë e vogël për të kthyer vëmendjen drejt kësaj çështje. Po shikojmë jo vetëm një rikthim të vëmendjes drejt industrisë ushtarake, por ajo që ndodhi në Ukrainë tregoi se duhet të jemi të përgatitur”, u shpreh Krisafi.

Nëse në Shqipëri industria ushtarake sot është kujtim i së shkuarës, disa vende të rajonit prej dekadash nuk kanë reshtur së prodhuari armatim. Vendin lider e mban Serbia e cila është një nga prodhuesit më të mëdhenj dhe më të rëndësishëm të armëve në Evropën Qendrore dhe Juglindore, një traditë që daton që nga koha e Jugosllavisë.

Në komunikatën e NATO-s të Samitit të Vilniusit në korrik të 2023, u theksua nevoja për një industri të fortë të mbrojtjes, nevojë që mbetet prioritet pas fillimit të luftës në Ukrainë. Sakaq, të gjithë përmendin Ballkanin si rajonin e mundshëm të një konflikti të ri e për këtë duhet të jemi të përgatitur, deklarata e admiral Bauer ka shkundur jo pak ata që paqen e sigurinë marrin të mirëqene. Duket se edhe vitet e ardhshme nuk do të jenë aspak të lehta për Europën dhe NATO-n.

“Qëllimi i admiral Bauer është për t’i dhënë një nxitje dhe impuls anëtarëve të Aleances për të mbajtur gjallë buxhetet e tyre dhe jo të flenë se tani jemi në NATO. NATO është aty por duhet kontributi i gjithsecili, mendoni me seriozisht per çështjet e vendit tuaj. Ka ardhur koha qe mos prisni mrekullira, ti je ne Aleance por mos prit duarkryq prandaj lind diskutimi. Duhet rritur kontributi dhe vlerësimi serioz”, tha Bazo.

“Admirali po bën gjënë e duhur edhe pse po vendos një lloj paniku, po bën gjënë me të duhur. Vendet e vogla si Mali i Zi duhet ta dëgjojnë, Mali i Zi që është vendi më i vogël në NATO, por edhe Shqipëria etj. Në rast të një luftë të madhe në Europë, nuk duhet të presim të na mbrojë Gjermania, Franca por mbi të gjitha duhet të jemi të gatshëm të mbrojmë veten.”-, u shpreh Krisafi.