Kina ka dënuar atentatin e kryer ndaj kreut të Byrosë Politike të Hamasit, Ismail Haniyeh në Iran.

Sipas lajmit të Al Jazeera, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Kinës, Lin Jian bëri një deklaratë lidhur me atentatin ndaj kreut të Byrosë Politike të Hamasit, Ismail Haniyeh.

Lin vuri në dukje se në mënyrë kategorike janë kundër çdo lloj atentati dhe veprimi të dhunës dhe se e dënojnë këtë.

"Pekini është thellë i shqetësuar se kjo ngjarje mund të shkaktojë destabilizim të mëtejshëm të situatës rajonale", deklaroi Lin duke thënë se në Gaza duhet të sigurohet marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe e përhershme në kohën më të shpejtë të mundshme.

- Atentati ndaj liderit të Hamasit

Haniyeh ndodhej në Teheran për të marrë pjesë në ceremoninë e betimit të presidentit të ri të Iranit, Masoud Pezeshkiyan.

Ushtria e Gardës Revolucionare e Iranit në një deklaratë mëngjesin e 31 korrikut, njoftoi se ndaj Haniyeh është kryer sulm në rezidencën ku ai po qëndronte në Teheran.

Për atentatin, Irani dhe Hamasi mbajtën përgjegjës Izraelin ndërsa zyrtarët izraelitë janë shmangur nga deklarata lidhur me ngjarjen. Haniyeh u zgjodh kryetar i Byrosë Politike të Hamasit nga Këshilli Shura i Hamasit më 6 maj 2017, duke zëvendësuar Khaled Mashalin./aa