Liria e shtypit në mbarë botën po kërcënohet nga vetë njerëzit që duhet të jenë garantuesit e saj, autoritetet politike. Kjo është e qartë nga Indeksi i fundit vjetor i Lirisë së Shtypit Botëror i prodhuar nga Reporterët pa Kufij (RSF). Ky konstatim bazohet në faktin se, nga pesë treguesit e përdorur për përpilimin e renditjes, është  treguesi politik që ka rënë më shumë, duke regjistruar një rënie mesatare globale prej 7.6 pikësh.

Një numër në rritje i qeverive dhe autoriteteve politike nuk po përmbushin rolin e tyre si garantues të mjedisit më të mirë të mundshëm për gazetarinë dhe për të drejtën e publikut për lajme dhe informacione të besueshme, të pavarura dhe të larmishme. RSF sheh një rënie shqetësuese të mbështetjes dhe respektit për autonominë e medias dhe një rritje të presionit nga shteti apo aktorë të tjerë politikë.

Situata ka pësuar një rënie të përgjithshme në Evropën Lindore dhe Azinë Qendrore, ku liria e shtypit nuk është e garantuar dhe mediat përdoren gjithnjë e më shumë si rripa transmetimi për fushatat e dezinformimit. Sipas raportit të Reporterëve pa Kufij, e njëjta gjë ndodh dhe me vendin tonë, ku Shqipëria sipas rankimit, ka rënë me tre vende nga vjet. Shqipëria renditet e fundit në rajonin e Ballkanit, përsa i përket lirisë së medias.

“Interesat politike mbytin gazetarinë në disa vende që janë kandidate për anëtarësim në BE, Bosnje Hercegovinë (81), Serbi (98) dhe  Shqipëri (99). Turqia (158) vazhdon të burgos gazetarët dhe të minojë median me anë të censurës në internet dhe kontrollit të saj mbi gjyqësorin,” thuhet në raport.

Renditja e vendeve të Ballkanit:

Shqipëria 99

Serbia 98

Greqia 88

Bosnje-Hercegovinë 81

Kosova 75

Kroacia 48

Bullgaria 59

Rumania 49

Mali i Zi 40

Maqedonia e Veriut 36

/Dita