Vendet e Bashkimit Evropian do të reduktojnë konsumin e tyre kolektiv të energjisë me 11.7% deri në vitin 2030, sipas një marrëveshjeje të nënshkruar midis kryeqyteteve dhe Parlamentit Evropian.

 

“Kursimi i energjisë është një hap kyç në shpëtimin e planetit”, tha në një deklaratë nënkryetari i Komisionit Evropian Frans Timmermans.

 

“Në muajt e fundit, evropianët kanë treguar se janë të gatshëm dhe të aftë për të përballuar këtë sfidë dhe industria jonë ka treguar se mund të optimizojë përdorimin e saj të energjisë dhe proceset e prodhimit,” shtoi ai.

 

Objektivi i reduktimit, i cili përdor një parashikim të vitit 2020 si bazë, duhet të jetë i detyrueshëm për vendet e BE-së.

 

Për të arritur në 11.7%, çdo vend i BE-së do të duhet të kursejë mesatarisht 1.49% shtesë të energjisë çdo vit nga viti 2024 deri në vitin 2030, thuhet në një njoftim për shtyp.

 

”Kjo nismë është për të promovuar kursimet e energjisë në sektorët e përdorimit përfundimtar si ndërtimi, industria dhe transporti”, thuhet në deklaratë.

 

Nëse përpjekjet kombëtare nuk janë të mjaftueshme për të arritur objektivin, Komisioni Evropian mund t’u kërkojë vendeve të veçanta të bëjnë më shumë./ATSH