Rreth 30 mijë mësues përfitojnë këtë muaj nga rritja e pagës.
Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu në një intervistë televizive foli për rritjen e pagës në 950 euro mesatarisht për mësuesit.
Duke e cilësuar një objektiv të përmbushur të qeverisë, Manastirliu theksoi se “tashmë është një zotim i mbajtur premtimi për rritjen e pagave të mësuesit deri në 40% për 4 vite. Vërtet motivuese për mësuesit e cila shkon në 950 euro mesatarisht, ndërsa rritja në vlerë pagese do të jetë 180 euro mesatarisht”.
Në sistemin arsimor do të ketë edhe ndryshime të tjera, sa i përket planit të zhvillimit profesional dhe karrierës.
“Të përfitojnë më shpejt kualifikimin e tyre si mësues të specializuar, kualifikuar apo mësues mjeshtër, e nga ana tjetër rrisim pagesën për kualifikimet e tyre duke siguruar trajnimin e tyre gjatë gjithë karrierës. Pikërisht rritja e pagave, sistemi i ri i zhvillimit profesional, kreditë e lehtësuara për blerjen e banesës, demonstron angazhimin që kemi marr për të rritur dinjitetin e mësuesit e për ta bërë këtë profesion më të kërkuar”, u shpreh Manastirliu.
Me hapjen e aplikimeve universitare, Manastirliu u bën thirrje maturantëve që me këto politika të reja kanë më shumë arsye për ta zgjedhur si preferencën e tyre.
“Në këto vite kemi mbështetur me bursa sa paga minimale rreth 330 studentë, të cilët tashmë janë përfshirë në programe studimi me prioritet kombëtar, që kanë lidhur marrëveshje për të dhënë kontributin në vendin tonë pas përfundimit të studimeve; dhe planifikojmë për këtë vit të jenë rreth 100 bursa sa paga minimale që do t’iu alokohen disa universiteteve”, tha Manastirliu./ata