Një udhëtim i cili nis nga Tirana vibrante duke zbritur nëpër gjurmët e historisë që gdhenden në gurët e Gjirokastrës e Beratit për t’u përshëndetur më tej nga puhiza e rivierës.
Kështu e përshkruan “Conde Nast Traveller” përvojën në Shqipërinë diku moderne e diku të paprekur, por një zgjedhje unike për turistët nga e gjithë bota.
Kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet sociale artikullin e botuar ku pasqyrohet udhëtimi i gazetares Samina Qaiyum në Shqipëri.
“Shqipëria nuk është prekur ende nga turizmi masiv, kështu që vizitorët mund të shijojnë peizazhin e pacënuar në të gjithë vendin – të eksplorojnë natyrën, shtigjet e njohura të ecjes në Alpet Shqiptare në veri, dhe të relaksohen në Rivierën piktoreske Shqiptare në jug. Po çfarë e bën atë veçanërisht tërheqëse? Një e kaluar shumë e pazakontë. Nëse po planifikoni një udhëtim, këto janë vendet më të mira për të vizituar në Shqipëri”, thuhet në shkrimin e Qaiyum.
Përveç Tiranës në shkrim pasqyrohen edhe Berati dhe Gjirokasra.
“Të dy qytetet historike janë pretendentë të shkëlqyer kur bëhet fjalë për eksplorimin e periudhës së Shqipërisë osmane, një ndikim që vazhdon të ndihet edhe sot e kësaj dite. Dhe ndërsa udhëtimet ditore nga Tirana në Berat dhe Gjirokastër janë të realizueshme, ia vlen të bëni një vizitë në këto qytete historike”, tha Qaiyum.
Në shkrim nuk mungon edhe riviera shqiptare, me Sarandën dhe Himarën.
“Duke u shtrirë rreth 296 milje përgjatë deteve Adriatik dhe Jon, vija bregdetare e Shqipërisë ofron diçka për çdo lloj vizitori falë gamës së saj të madhe të mrekullive natyrore, fshatrave piktoreskë dhe plazheve sekrete. Qendra turistike e Sarandës është shtëpia e vendpushimeve të shumta dhe restoranteve luksoze. Fshati bregdetar i Himarës është shumë më autentik në ndjesi. Për shkak se mbetet relativisht i paprekur nga zhvillimi urban, është më i përshtatshëm për këdo që ka nevojë për qetësi”, thuhet në shkrim./ata