Në qytetin e Prizrenit është mbajtur ceremonia e hapjes së edicionit të 23-të të Festivalit të filmit dokumentar dhe të shkurtër, DokuFest.

Në ceremoninë në kinemanë e hapur historike të Prizrenit "Lumbardhi", u shfaq filmi i regjisorit Stanley Kubrick "Dr. Strangelove".

Punëtori, panele, ekspozita fotografie, konferenca dhe koncerte do të mbahen gjithashtu në kuadër të këtij festivali, ku do të emetohen 250 filma të shkurtër dhe dokumentarë me temën "Rendi i Ri", i cili gjurmon konfliktet globale dhe ndryshimet e pushtetit që riformësojnë rendin ndërkombëtar.

Në deklaratën për media të shpërndarë nga festivali për temën e këtij viti u tha se “bota nuk është më e njëjta. Konfliktet globale dhe ndryshimet në ekuilibrin e fuqisë po riformojnë rendin ndërkombëtar. Prandaj, ne jemi të ngazëllyer për të eksploruar këtë temë në festival. Ai lidh të kaluarën me të tashmen dhe vë në dyshim nëse ka ende shpresë për të ardhmen”.

Në kuadër të DokuFest-it, për shikuesit e filmit do të prezantohen përzgjedhje të veçanta filmash që do të trajtojnë ngjarjet në Palestinë dhe Ukrainë.

Dhjetëra mijëra artdashës nga e gjithë bota pritet të vijnë në Prizren në kuadër të festivalit, i cili konsiderohet si një nga ngjarjet më të mëdha kulturore në Ballkan në fushën e filmave dhe dokumentarëve të shkurtër.

Çmimet do t'u jepen fituesve në tetë kategori në ditën e fundit të festivalit, më 10 gusht.

DokuFest-i u bë i famshëm në fillimet e tij për mbajtjen e edicioneve të festivalit në kinema "të jashtëzakonshme" në qendrën historike të qytetit, sikurse ajo në lumë dhe në kalanë e qytetit, për shkak të mungesës së një kinemaje të mirëfilltë në qytet./aa