Sekretari i Jashtëm i Britanisë së Madhe, David Lammy, ka përsëritur shqetësimin e tij për tensionin e vazhdueshëm në kufirin izraelito-libanez, duke bërë thirrje për deeskalim në zonën që njihet si Linja e Kaltër.
"Jam këtu në terren duke u takuar me figura me ndikim për të bërë thirrje për deeskalimin e menjëhershëm në rajon", tha David Lammy në një deklaratë të Ministrisë së Jashtme, të publikuar pas udhëtimit të tij në Liban së bashku me Sekretarin e Mbrojtjes John Healey.
Sekretar i jashtëm britanik David Lammy zhvilloi vizitën e tij të parë zyrtare në Liban, ku bëri thirrje për një zgjidhje diplomatike bazuar në Rezolutën 1701 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
Vizita e tij erdhi pasi dënoi sulmin në Lartësitë e Golanit ku u vranë të paktën 12 persona, duke ngritur shqetësime të thella mbi rrezikun e përshkallëzimit të mëtejshëm dhe destabilizimit.
Lammy dhe Healey u takuan me Kryeministrin Najib Mikati, Kryetarin e Parlamentit Nabih Berri, Ministrin e Jashtëm Abdallah Bou Habib dhe komandantin e Forcave të Armatosura Libaneze Joseph Aoun, thuhet në deklaratë.
"Kam ngritur shqetësimet e mia për tensionet e vazhdueshme midis Libanit dhe Izraelit dhe kam theksuar vendosmërinë e Mbretërisë së Bashkuar për të shmangur llogaritjet e gabuara", tha Lammy.
Nga ana e tij, Healey tha: "Deeskalimi duhet të jetë fokusi ynë kryesor pasi ky rajon ndodhet në një udhëkryq. Humbja e jetëve të pafajshme në javët dhe muajt e fundit është e padurueshme. Kjo duhet të marrë fund".
Tensioni është përshkallëzuar midis Hezbollahut dhe Izraelit pas sulmit me raketa të 27 korrikut në qytetin Druze në Lartësitë e pushtuara të Golanit.
Teksa Izraeli fajësoi Hezbollahun për sulmin, grupi libanez mohoi çdo përgjegjësi.
Më 30 korrik, ushtria izraelite goditi pjesën jugore të Bejrutit duke vrarë një komandant të lartë të Hezbollahut.
Duke shkelur rezolutën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së që kërkon armëpushim të menjëhershëm, Izraeli është përballur me reagimin ndërkombëtar në mes të ofensivës brutale të vazhdueshme në Gaza që nga sulmi i 7 tetorit nga grupi palestinez Hamas.
Mbi 39.500 palestinezë janë vrarë, kryesisht gra dhe fëmijë, dhe mbi 91.000 janë plagosur, sipas autoriteteve lokale shëndetësore. Pothuajse dhjetë muaj pas sulmit izraelit, pjesë të mëdha të Gazës qëndrojnë në gërmadha mes një bllokade shkatërruese të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve.
Izraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND), e cila e urdhëroi atë të ndalojë menjëherë operacionin e tij ushtarak në qytetin jugor të Rafahut, ku më shumë se 1 milion palestinezë kishin kërkuar strehim nga lufta përpara se të pushtohej më 6 maj./aa