Të gjithë qytetarët, pronat e të cilëve do të preken nga ndërtimi i portit të ri tregtar në Porto Romano do të shpronësohen me para në dorë ose me një pronë shtetërore.
Agjencia Shtetërore e Shpronësimeve, përmes një njoftimi te publikuar ne fletoren zyrtare sqaron mënyrën e kompensimit të qytetarëve që preken nga ndërtimi i portit në Porto Romano.
“Me anë të këtij publikimi kërkojmë të vëmë në dijeni personat të cilët preken nga ky shpronësim, për interes publik, për pasuritë e paluajtshme, pronë private, të cilat do të shpronësohen me një pasuri tjetër të paluajtshme, në pronësi të shtetit, se shpërblimi në natyrë kryhet: nëpërmjet shkëmbimit të pasurisë, pronë private, që shpronësohet me një pasuri tjetër të paluajtshme, në pronësi të shtetit me të njëjtën vlerë me pasurinë që shpronësohet; si dhe nëpërmjet kombinimit të formës së shpërblimit në vlerë financiare me shkëmbimin në natyrë të pasurisë, pronë private, që shpronësohet me një pasuri të paluajtshme në pronësi të shtetit, sipas rasteve të parashikuara në këtë vendim”, thuhet në njoftim.
Agjencia Shtetërore e Shpronësimeve sqaron se shkëmbimi tokë private-shtetërore do të bëhet vetëm në rastet kur ka dakordësi unanime dhe nëse nuk arrihet një marrëveshje mes palëve do të bëhet kompensimi për pasurinë në vlerë financiare.
“Në zbatim të pikës 4, të nenit 2, të VKM-së nr. 797, datë 28.12.2023, “Për përcaktimin e rasteve dhe të rregullave për shpërblimin në natyrë të shpronësimeve për interes publik”, në çdo rast, shpërblimi në natyrë realizohet vetëm pasi të merret pëlqimi i subjektit që shpronësohet, pëlqimi duhet të jetë unanim nga të gjithë bashkëpronarët të cilët duhet të dakordësojnë midis tyre për shpërblimin në natyrë. Në rast se ky kusht nuk plotësohet, mungesa e dakordësisë për dhënien e pëlqimit për trajtimin me shpërblim në natyrë nga ana e subjektit që do të shpronësohet nuk e pengon vijimin e procedurës së shpronësimit, pasi kompensimi i pronarit të pasurisë së paluajtshme, pronë private, në këtë rast do të bëhet me vlerë financiare”, theksohet në njoftim.
ASHSH-ja informon të gjithë të interesuarit që preken nga zbatimi i projektit të “Portit të ri tregtar të integruar të Durrësit në Porto-Romano”, për mundësinë e kompensimit të pasurisë në pronësi të tyre që preket nga shpronësimi për interes publik me shpërblim në natyrë me qëllimin informimin mbi mundësinë për trajtimin me shkëmbim në natyrë, në respektim të parimit të shpërblimit të drejtë, duke garantuar transparencë, barazi, mbrojtjen e interesave dhe të të drejtave të tyre pasurore.
Gara për ndërtimin e portit te ri tregtar ne Porto Romano u hap më 30 korrik të këtij viti. Zëvendëskryeministerja, njëherësh ministre për Infrastrukturën dhe Energjinë, Belinda Balluku nga Durresi, u shpreh se në garë për portin do të jenë 15 kompani ndërkombëtare nga të cilat 5 janë kompani nga më prestigjezet në Europë./ata