Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njofton se në Himarë, ku të dielën e katër gushtit do të mbahen zgjedhjet e pjesshme për Kryetar Bashkie, kanë mbërritur materialet zgjedhore. Transportimi i materialeve zgjedhore drejt KZAZ nr 88, u realizua në bashkëpunim me Ministrinë e Brendshme.

Në një postim në rrjetet sociale, KQZ sqaron se “në Komisionin Zonal të Administrimit Zgjedhor, baza materiale për 36 qendrat e votimit u dërgua ditën e sotme nga KQZ në bashkëpunimin me Ministrinë e Brendshme. Së bashku me kutitë e votimit, fletët e votimit dhe dokumentacionin e punës për komisionet zgjedhore, u dërguan edhe pajisjet e identifikimit elektronik (PEI), kamerat monitoruese që vendosen në qendrat e votimit, kamerat regjistruese/monitoruese që vendosen në tavolinat e numërimit të votive (VNV)”.

“Gjithashtu, është e rëndësishme të theksohet se KQZ ka menduar edhe për zgjedhësit që nuk shikojnë, duke siguruar shabllonin e fletës së votimit me alfabetin Braille në çdo qendër votimi. Materialet zgjedhore do të shpërndahen drejt qendrave të votimit gjatë orëve të para të ditës së dielë, në mënyrë që të gjithë qendrat e votimit të jenë gati për qytetarët për të ushtruar të drejtën e votës në datën 4 gusht 2024”, përfundon njoftimi i KQZ.

Të dielën, 4 gusht 2024, në Himarë do të zhvillohen zgjedhjet e pjesshme për kryetar të Bashkisë. Në garë janë dy kandidatë. Kandidati i Partisë Socialiste është Vangjel Tavo, ndërsa kandidati i koalicionit opozitar “Bashkë Fitojmë” në garë është Petraq Gjikuria.

Himara ka 36 qendra votimi dhe identifikimi i votuesve do të realizohet përmes pajisjeve të identifikimit elektronik (PEI). Numri i zgjedhësve që janë ftuar të votojnë në Bashkinë Himarë është 23.074./ata