Këshilli i Ministrave miratoi sot disa ndryshime në vendimin “Për miratimin e rregullave dhe procedurave të ndërtimit të kapaciteteve të reja të energjisë elektrike që nuk janë objekt koncesioni”.
Në një prononcim për medie pas mbledhjes së qeverisë, zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, u shpreh se ndryshimet lehtësojnë gjithë procesin, ndërkohë që është rritur iniciativa e sektorit privat për të ndërtuar parqe të energjisë së rinovueshme, qofshin eolike apo solare.
“Krahasuar me 2 vite më parë, sot kemi një numër të konsiderueshëm të entiteteve private që duan që të investojnë në energjinë e rinovueshme pa pasur nevojën për të pasur çmimin e paracaktuar dhe mbështetje nga buxheti i shtetit. Për këtë arsye ne kemi vendosur t’i lehtësojmë këto procese, duke i dhënë të gjitha aplikimeve për parqe eolike mundësinë të kenë një kohë paraprake për sa i përket studimit”, sqaroi Balluku.
Sipas saj, këto kompani merrnin më parë një autorizim paraprak.
“Duke pasur specifikën që energjia e prodhuar nga era ka nevojë për 12 muajt e parë studimorë në zonën që përzgjidhet nga entiteti, ne tashmë i kemi dhënë mundësi që ky 12- mujor për studimin e zonës së përzgjedhur nga subjekti që do të jetë prodhuesi i parkut eolik të jetë i përfshirë në lejen e autorizimit paraprak duke mos i konsumuar kohën që duhet të ketë për të kryer të gjitha punimet e tjera”, tha Balluku.
Po ashtu, ministrja theksoi se është shtuar në listën e dokumentacionit të kërkuar për oponencë teknike projektpropozimi nga Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore.
“Tashmë AKBN do të ketë një rol të ri. Përveç të gjitha institucioneve që ofrojnë mundësinë për të bërë oponencë teknike, tani do të mund ta bëjë edhe AKBN, duke shtuar forcat dhe ekspertët që mund të ndihmojnë gjithë tregun që po investon sot në energji të rionovueshme”, tha Balluku.
Një tjetër pikë që ndryshon në këtë VKM, sipas saj ka të bëjë me vetëprodhimin.
“Termi vetëprodhues deri dje ka pasur të bëjë vetëm me ato entitete që prodhonin 500 kilovatorë gjatë muajit duke i shkëmbyer me bazë vjetore, një vendim që e morën 1 vit më parë duke i shkëmbyer me shpërndarësin, pra me OSHEE-në. Ne tashmë do të lejojmë dhe certifikojmë të gjithë ata prodhues që ngrenë kapacitete elektrike për arsye të vetë prodhimit, që kanë të drejtë ta hedhin në rrjetet e transmetimit por pa kërkuar nga shteti që të kompensohen për këtë sasi të hedhur”, tha ajo./ata