Pas dy javësh nga tragjedia ku humbën jetën 72 emigrantë në brigjet kalabreze, qeveria Meloni ka miratuar ligje të reja. Masat e reja parashikojnë nga 20 deri në 30 vjet burg nëse shkakton vdekjen e më shumë personave, 15 deri në 24 nëse humb jetën vetëm një emigrant dhe nga 10 në 20 nëse ka lëndime nga mbytja e anijes.
Meloni iu përgjigj kritikave ndaj qeverisë së saj mbi politikat e imigracionit, të cilat mund të kenë ndikuar në tragjedinë e 26 Shkurtit në brigjet e Steccato di Cutro. Autoritetet italiane të shpëtimit janë duke u hetuar për akuzat se nuk kanë vepruar mjaftueshëm shpejt për të parandaluar mbytjen e anijes.Hetimet gjithashtu janë shtrirë edhe në disa pista të tjera pasi Frontex dyshohet se nuk i ka ardhur në ndihmë anijes me 250 emigrantë në bord.
Guardia di Finanza, e cila kontrollon vijën bregdetare, bëri të ditur se dërgoi dy varka patrullimi, por ata hoqën dorë nga kërkimi për emigrantët dhe u kthyen në port për shkak të kushteve të motit.
Mediat kanë vënë në pikëpyetje pse Roja Bregdetare, anijet e së cilës janë më të pajisura për t’u përballur edhe me mot të keq , nuk shkoi në vendngjarje pasi mori një telefonatë nga emigrantët. Ndërkaq pas miratimit të ligjeve kundër emigracionit të paligjshëm, u mbajtën protesta afër një sheshi ku po zhvillohej mbledhja e kabinetit. Protestuesit shpërndanë lodra, ndërsa disa mbanin pankarta ku shkruhej “Jo në emrin tonë … Kalabria ka një zemër të madhe, ju jo!”
Disa nga protestuesit kërkuan dorëheqjen e zëvendëskryeministrit Matteo Salvini i cili së fundmi ka përshëndetur edhe planin britanik për ndaljen e emigracionit të paligjshëm si dhe ministrit të Brendshëm, Matteo Piantedosi, i cili u kritikua pas tragjedisë.