Presidenti i Brazilit, Luiz Inacio Lula da Silva tërhoqi ambasadorin e vendit të tij nga Izraeli të hënën, disa orë pasi ministri i Jashtëm izraelit, Israel Katz e shpalli Lula da Silvën person "non grata" në vend ndërsa tensionet mes dy vendeve vazhdojnë të rriten.

Ministri i Jashtëm brazilian, Mauro Vieira thirri ambasadorin në Tel Aviv, Frederico Meyer, të kthehet në vend për konsultime dhe ai do të niset për në Brazil të martën, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Jashtme të Brazilit. Të hënën, Izraeli tha se Lula nuk është i mirëpritur në vend derisa të tërheq deklaratën që bëri dhe të kërkojë falje pasi krahasoi luftën e Izraelit në Gaza me Holokaustin.

"Ne nuk do të harrojmë dhe nuk do të falim", tha Katz i cili deklaratën e bëri nga Muzeu i Holokaustit në Kuds, Yad Vashem.

"Ky është një sulm serioz antisemitik. Në emrin tim dhe në emër të qytetarëve të Izraelit, përcilljani këtë presidentit Lula, se ai është person 'non grata' në Izrael derisa të kërkojë falje", shtoi ai.

Deklarata e Katz erdhi pasi presidenti i Brazilit të dielën krahasoi luftën në Gaza me fushatën e Adolf Hitlerit për të shfarosur popullin hebre gjatë viteve 1930 dhe 1940.

"Ajo që po ndodh në Rripin e Gazës me popullin palestinez nuk ka ndodhur asnjëherë tjetër në histori. Në fakt, ka ndodhur: kur Hitleri vendosi të vriste hebrenjtë", u tha Lula gazetarëve në kryeqytetin e Etiopisë, Addis Ababa, ku po merrte pjesë në një samit të Unionit Afrikan.

"Ajo që po ndodh në Rripin e Gazës nuk është luftë, ajo është gjenocid. Nuk është luftë e ushtarëve kundër ushtarëve. Kjo është luftë mes një ushtrie shumë të përgatitur dhe grave e fëmijëve", shtoi ai.

Ministria e Jashtme e Brazilit tha në një deklaratë se do të thërriste ambasadorin e Izraelit në Brazil, Daniel Zonshine, për një takim në Rio de Zhaneiro.

Lula e ka dënuar sulmin e 7 tetorit nga grupi palestinez Hamas ndaj Izraelit si një akt "terrorist", por gjithashtu ka kritikuar sulmet e Izraelit në Gaza, në të cilat janë vrarë afro 29 mijë palestinezë./aa