Etjen Zeka nisi të prodhonte birrë artizanale për familjarët dhe miqtë e tij, ndërsa sot e ka rritur sasinë në 5 mijë litra me formulën e suksesit “Birra e Gjyshit”.
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale historinë e suksesit të të riut të kthyer nga emigracioni pas 18 vitesh.
“Ai e ktheu shtëpinë e vjetër të gjyshit në Pogradec, në një fabrikë të vogël birre që sot është një ndër destinacionet më të preferuara për turistët e huaj të cilët janë kureshtarë të provojnë birrën, si dhe të shohin se si prodhohet ajo”, u shpreh Rama.
Vetë Etjeni tregon se si e nisi këtë iniciativë, pasi kishte parë se si prodhohej birra në Itali, Spanjë e Karaibe.
“Kam vendosur të kthehem me një ide më konkrete në Shqipëri. Gjithçka ka lindur për konsum vetjak me shoqërinë. E kam filluar me një sasi shumë të vogël 10-litroshe dhe nuk kishim një ambient ku mund të eksperimentonim. Gjithçka bëhet në mënyrë shumë, shumë artizanale”, tha ai.
Etjeni shprehet se nuk e priste kaq shumë popullaritet, ndërsa theksoi se në pranverë dhe në verë nuk arrin dot ta mbushë tregun me prodhimin që ka.
Ai tha se shumë të huaj shkojnë vetëm që për të vizituar fabrikën dhe janë kuriozë të dinë si prodhohet birra në mënyrë artizanale./ATSH