Tashmë është kthyer thuajse në rutinë. Sa herë që afrohet periudha kur klubet shqiptare duhet të plotësojnë dokumentacionin për të përfituar licencën e pjesëmarrjes në kupat e Europës, Tirana detyrohet të ballafaqohet me tatimet.

 

Me vendimin e datës 2 mars 2023, drejtoria e Tatimpaguesve të Mëdhenj vendosi masën e sigurimit tatimor mbi pasuritë që zotëron klubi bardheblu. Vendimi është regjistruar në Qendrën Kombëtare të Biznesit.

 

 

Masa e sigurimit ndaj aseteve të klubit, lidhet me bllokimin e aksioneve dhe nuk lejon tjetërsimin e pasurisë apo të drejtave pasurore të ekipit kryeqytetas. Gjithçka për shkak të detyrimeve të pashlyera dhe që vazhdojnë të mbarten nga klubi.

 

Çështja nuk është problematike, për aq kohë sa ligji lejon që përpos shlyerjes, njohja e detyrimeve tatimore të rregullohet me marrëveshje për shtyrje të afateve apo kryerjen e pagesave me këste. Shqetësimi i vetëm në rastin e Tiranës, lidhet me kohën kur kjo situatë duhet të zgjidhet.

 

 

Bardheblutë kanë afat deri më 31 mars 2023, data kur përfundon licencimi në kupat e Europës. Një prej kritereve kryesore të vendosura nga UEFA për pjesëmarrjen në arenën ndërkombëtare është që klubet të mos kenë asnjë problem për sa i takon aspektit financiar.

 

Duke qenë në luftë për titull dhe thuajse të sigurt për pjesëmarrje në kupat e Europës, Tirana ka më pak se tre javë për të zgjidhur problematikën me tatimet.