Presidenti ukrainas ka deklaruar se pavarësisht se sa të “pabesa” mund të jenë sulmet e Rusisë, Ukraina dhe populli i saj nuk do të dorëzohen.

 

Volodymyr Zelensky i bëri komentet pas një seri sulmesh me raketa ruse, që shkaktuan një ndërprerje masive të energjisë, përfshirë centralin bërthamor të Zaporizhias.

 

“Situata është kritike dhe Rusia qëllimisht po i krijon situata të tilla në impiantet tona bërthamore. Kjo do të thotë se Rusia nuk mund të jetë një pjesëmarrës i besueshëm në marrëdhëniet në sferën bërthamore. Do të thotë se, sa më parë industria bërthamore ruse të jenë objekt i sanksioneve, aq më e sigurt do të jetë bota. Një shtet terrorist nuk mund të lejohet të përdorë impiante bërthamore kudo në botë për qëllime terroriste”, theksoi ai.

Edhe shefi i Politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell e quajti sulmin në Zaporizhia një “shkelje serioze” të sigurisë bërthamore.

 

“Zaportizhia është impianti bërthamor më i madh në Evropë dhe Rusia po vë në rrezik të gjithë kontinetin tonë të përbashkët evropian, përfshirë vetveten”, u shpreh Josep Borrell, shef i Politikës së Jashtme të BE-së.

 

Ndërkohë, qeveria ukrainase vazhdon të dërgojë përforcime ushtarake në Bakhmut, duke u zotuar se nuk do lejojë rënien e tij në duart e rusëve, të cilët kanë dyfishuar ofensivën.