Për herë të parë Pogradeci bëhet mikëpritësi i një aktiviteti të veçantë, Festivali i Peshkatarëve shqiptarë.
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale fragmente nga edicioni i parë i Festivalit të Peshkatarëve Shqiptarë nga veriu në jug, të bërë bashkë për të ndarë eksperiencën e peshkimit, në një festë të madhe në qytetin liqenor.
Ky evenimet i mbështetur nga Shoqata e Peshkatarëve, bën bashkë për tre netë në Odeonin e qytetit, jo vetëm profesionistët dhe të apasionuarit pas peshkimit, por edhe kuzhinierë, artistë të botës së muzikës dhe pikturës si dhe të ftuar specialë.
Festivali krijon një atmosferë ndryshe për turistët dhe vizitorët që po frekentojnë qytetin e bukur liqenor në këtë sezon vere.
Në Festivalin e Peshkatarëve shqiptar, muzika e mirë shkon bashkë me degustimin e disa prej pjatave më tradicionale, ku korani i famshëm do të jetë kryefjala.
Festivali do të zhvillohet në datat 2, 3 e 4 gusht duke nisur kësisoj një traditë të bukur për qytetin e Pogradecit./ata