60% e familjeve në Shqipëri mund të kenë likuiditet të mjaftueshëm për të kaluar muajin, apo për të bërë aktivitetet e tyre të pritshme.

Por, nëse ato do të përballen me shpenzime të papritura si një sëmundje apo problem tjetër, ata nuk do të ishin në gjendje ta përballonin.

Këtë e tregon materiali i titulluar “A jane familjet shqiptare financiarisht te brishta?” realizuar nga Elona Dushku, Departamenti i Kërkimeve, në Bankën e Shqipërisë.

Në raport është analizuar brishtësia financiare të familjeve shqiptare bazuar në aftësinë e familjeve për të përballuar një shpenzim të papritur, si dhe analizon krahas treguesve socio-ekonomikë (si: mosha, gjinia, borxhi), rolin e kompozimit të portofolit të aktiveve të familjeve.Familjet financiarisht të brishta janë ato familje që mund të përballojnë shpenzimet e pritshme, por nuk kanë likuiditet të mjaftueshëm për të përballuar shpenzimet e papritura.

Duke përdorur të dhënat e marra nga raundi i parë i Vrojtimit të Pasurisë së Familjeve në Shqipëri, është vlerësuar se 60% e familjeve në Shqipëri konsiderohen financiarisht të brishta, pra janë familje që nuk kanë likuiditet të mjaftueshëm për të përballuar një shpenzim të papritur, në masën e medianës së të ardhurave totale të familjeve.

Vlerësimet e marra nga regresionet multinomiale tregojnë se probabiliteti i familjeve për të qenë financiarisht të brishta lidhet negativisht me nivelin e arsimimit të personit referues, vlerësohet në studim.

Gjithashtu rezultatet tregojnë se aksesi financiar dhe lidhjet familjare zvogëlojnë gjasat që familjet të jenë financiarisht të brishta, sipas BSH.

Të dhëna të tjera të INSTAT tregojnë që një familje shqiptare çon mesatarisht 40% të shpenzimeve totale vetëm për t’u ushqyer.

Ky është një tregues indirekt i varfërisë, teksa shpenzimet për ushqime janë një nevojë ekzistenciale e domosdoshme.

Teksa ushqimi merr pjesën kryesore të buxhetit, mbetet pak likuiditet për të përballuar nevoja të tjera, sidomos ato të paparashikuara.

Të dhënat e Eurostat tregojnë se një familje evropiane shpenzon mesatarisht për ushqime 13.6% të totalit, ose tre herë më pak sesa në Shqipëri.

Edhe në vendet e rajonit ky tregues është më i ulët, ku nivelin më të ulët e ka Serbia (24.1%), Mali i Zi (27.2%), Maqedonia e Veriut (30.6% për vitin 2019), Bosnjë-Hercegovina (32.2%). Të dhënat për Kosovën mungojnë, por treguesit e mëparshëm ishin më të ulët sesa të Shqipërisë.

Shpenzimi i një pjese të konsiderueshme të buxhetit lë më pak hapësirë për aktivitete të tjera. P.sh., për argëtim dhe kulturë, një familje evropiane shpenzon 8.4% të buxhetit, ndërsa një familje shqiptare vetëm 2.7%.

Për restorante Evropa shpenzon 8.5% ndërsa Shqipëria 7.3%.

Më i lartë është buxheti për komunikim, me 3.9% në Shqipëri kundrejt 2.3% mesatarja evropiane për shkak të çmimeve më të shtrenjta.

Evropa shpenzon më shumë për banesën, ujë, energji elektrike, qira të paguar, me 24.1% të totalit, përkundrejt 9.8% të familjeve shqiptare./Monitor