Në kantierin e aksit Elbasan-Qafë Thanë, pjesë e Korridorit VIII vijon me ritme puna për transformimin rrënjësor të tij.

 

Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga puna për ndërtimin e këtij aksi, i cili do të garantojë që qarkullimi i automjeteve të vijojë pa asnjë problematikë.

 

Rama tha se në kantierin për zgjerimin e rrugës Elbasan-Qafë Thanë, aktualisht po ndërtohet nënkalimi dhe ura automobilistike.

 

“Ky projekt do të shkurtojë distancat dhe do të kthehet në një rrugë interurbane me katër korsi, si pjesë e korridorit të 8-të, tanimë i përfshirë në rrjetin europian”, tha Rama.

 

Rruga Elbasan-Qafë Thanë është e kategorisë B me 2 korsi nga secili krah me ndarëse korsie dhe të gjithë parametrat rrugore. Punimet nuk përfshijnë vetëm zgjerimin e rrugës ekzistuese, por edhe daljen në një aks të ri të rrugës për shkak të rritjes së fluksit, ndërsa parashikohet edhe përmirësimi i parametrave të rrugës dhe i shpejtësisë së lëvizjes.