Fluksi i lartë i turizmit dhe rritja e kredisë në lekë ka sjellë mbivlerësimin e monedhës shqiptare.

Që prej prillit, niveli i euros në kursin e këmbimit po lëviz pranë niveleve minimale historike duke u këmbyer me përafërsisht 100 lekë.

Sipas ekspertëve të tregut valutur, kursi i këmbimit vazhdon të jetë nën efektin e faktorit sezonal, me një prurje e madhe e valutës së huaj. Të dhënat tregojnë se kulmi i efektit i sezonit veror mbi kursin e këmbimit arrihet mes fundit të muajit korrik dhe fillimit të muajit gusht.

Ardhja e më shumë turistëve në vend nënkupton më shumë valutë në tregun vendas dhe së fundmi kësaj tendencë i është shtuar edhe fakti që euro është dobësuar në tregun ndërkombëtar

Euroja rezulton gati 13 pikë më e ulët nëse e krahasojmë me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Në këto kushte Banka e Shqipërisë po blen direkt monedhën europiane në treg për të mos lejuar rënien e saj poshtë kufirit të 100 lekëve.

Vetëm në periudhën janar-mars, Banka e Shqipërisë ka tërhequr nga tregu 32.60 milionë euro duke pasur si synim rritjen e rezervës valutore, por njëkohësisht edhe si një masë për të mos lejuar dobësim të mëtejshëm të monedhës europiane.

Banka e Shqipërisë bën të ditur se, mund të ndërhyjë për të mbajtur një nivel të caktuar euron vetëm kur vlerësimi i euros është aq i madh sa dhe në importe ajo krijon një efekt negativ duke importuar inflacion më të lartë. Kur prishet ky ekuilibër Banka ndërhyn. Gjithashtu BSH-ja ndërhyn në treg edhe për rezervë valutore.

Në këto tre muaj, Banka Qendrore ka zhvilluar tre ankande, ndërsa në muajt e verës parashikohet që ndërhyrja të rritet. Gjatë këtij viti, Banka e Shqipërisë ka parashikuar që të tërheqë nga tregu rreth 330 milionë euro./ata