Të ardhurat e mbledhura nga kontributet për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore të administruara nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve përgjatë periudhës janar-korrik të vitit u realizuan në masën 79.7 miliardë lekë.
Referuar të dhënave të publikuara nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, këto të ardhura rezultojnë 11.7 miliardë lekë, ose 17.2 % më shumë se 7-mujori i 2022-shit.
Gjithashtu të ardhurat e mbledhura nga ky zë rezultojnë me një realizim 110.5 % të planit për 7-mujorin 2023.
Numri i të punësuarve për 3-mujorin e parë të vitit ishte 709,203 të punësuar, ku 557,750 janë të punësuar në sektorin privat. Referuar të dhënave, sektori privat ka pasur një performancë pozitive gjatë këtij tremujorit duke shënuar 4 mijë të punësuar më shumë.
Të dhënat zyrtare nga INSTAT gjithashtu konfirmojnë trendin pozitiv të treguesve të tregut të punës gjatë tremujorit të parë.
Kështu, shkalla e punësimit ka vijuar të rritet dhe ka arritur nivelin 67.1 %, ndërsa niveli i papunësisë ka zbritur nën 10.9 %, shifër kjo në rënie në krahasim me të njëjtin tremujor të një viti më parë.