Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka, tha sot se procesi zgjedhor për kryetarin e bashkisë së Himarës është një farsë e nisur kohë më parë dhe që sot po finalizohet.
Në një prononcim për mediet nga Himara, Noka nënvizoi se mohimi i së drejtës për të votuar të 6157 qytetarëve për shkak të skadimit të dokumentit të identifikimit është vetëm një pjesë e kësaj farse, që synon të vendosë fatin e procesit zgjedhor.
Sipas tij, 6157 votues do të ishin ata që do të vendosnin fatin e një procesi jo vetëm në Himarë, por edhe në një qytet të madh të vendit. Noka tha se prej 3 javësh në Himarë po ushtrohet presion ndaj votuesve, ndërsa shtoi se blerja e votës ka kapur vlerën e 500 eurove.
“Po ju kujtoj që këtu ka të paktën 3 javë që janë bandat e pushtetit çdo ditë në territor, duke shantazhuar dhe kërcënuar. Këtu është e gjithë administrata, ministrat, drejtorët, dikush duke dhënë tapi, dikush duke dhënë leje, dikush jep të drejta shfrytëzimi. Në disa zona në Himarë vota ka shkuar 500 euro,” tha Noka.
I pyetur nga gazetarët nëse ka fakte, prova apo video mbi denoncimet e parashtruara, Noka nënvizoi se të gjitha shkeljet do të dokumentohen pas përfundimit të procesit zgjedhor. Noka akuzoi SPAK-un si shkak të asaj që zyrtari PD e cilësoi si një krim zgjedhor në Himarë
“Të gjithë janë në terren dhe në përfundim të procesit, do të mblidhen faktet dhe provat. Di t’ju them se e gjithë kjo masakër zgjedhore e zhvilluar sot, por jo e nisur sot, ka ndodhur sepse në Shqipëri krimet zgjedhore janë të amnistuara, sepse SKAP i Partisë ka vendosur amnistimin e krimit zgjedhor me zhdukjen e dosjeve “184” dhe “339”” shtoi Noka.
I pyetur nëse deklaratat e tij, lidhenin me një humbje të mundshme të kandidatit të opozitës, Noka kundërshtoi. “Nuk po flet kush për humbje, as për fitore. Po jap konstatimet e një procesi zgjedhor të gjatë në Himarë,” tha Noka.
Në fund, Noka akuzoi kreun e KQZ, që sipas tij, i la partive përgjegjësinë e mosvotimit të mbi 6157 qytetarëve të Himarës.
“Jam këtu edhe për të përgënjeshtruar kreun e KQZ-së, që fajin për këtë mosvotim të 6157 votuesve të Himarës ia lë partive politike. Është e gjitha sajesë dhe gënjeshtër. Personalisht unë kam kontaktuar disa herë me kreun e KQZ-së. Kreu i PBDNJ, Vangjel Dule ka kontaktuar, përfaqësuesi ynë Ivi Kaso në KQZ ka kontaktuar dhe zoti Celibashi, mes të vërtetës dhe mashtrimit për shkak se ka frikë Edi Ramën, zgjodhi mashtrimin,” nënvizoi Noka.
Në zgjedhjet e pjesshme për kryebashkiak të Himarës janë dy kandidatë, Vangjel Tavo i Partisë Socialiste dhe kandidati i koalicionit opozitar “Bashkë Fitojmë”, Petraq Gjikuria./ata