Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njoftoi se në orën 19:00 përfundoi orari i votimit për zgjedhjet e pjesshme për kryetarin e Bashkisë Himarë.

KQZ bën të ditur se qendrat e votimit janë mbyllur në të gjithë territorin e bashkisë.

“Procesi i votimit në 36 QV ka vijuar i qetë ndërkohë që zgjedhësit janë identifikuar elektronikisht dhe sistemi PEI ka rezultuar krejt i suksesshëm”, thuhet në njoftimin për shtyp.

KQZ e ndoqi në dinamikë ecurinë e procesit, duke ndërhyrë në rastet kur u kërkua asistencë nga ana e Komisionerëve të Qendrave të Votimit.

Nga informacionet paraprake dhe të dhënat e raportuara, nga pjesëmarrja në zgjedhje rezulton 36.9%.

“Komisionet e QV po përgatiten për të dorëzuar kutitë e votimit dhe materialet zgjedhore në KZAZ-në nr. 88, për t’i hapur rrugë procesit të numërimit të votave. Procesi i numërimit të votave do të fillojë kur të mbërrijë në KZAZ edhe kutia e fundit e votimit nga QV me largët”, njofton KQZ./ata