Aksidenti tragjik i regjistruar ditën e djeshme rreth orës 17:40 minuta ku policia bëri me dije se automjeti tip “Audi” me drejtues 20-vjeçarin, i cili ka qenë duke udhëtuar në unazën lindore me drejtim lëvizje nga Farka për tek rrethrrotullimi pranë TEG, dhe pasi ka humbur kontrollin, ka thyer barrierat rrethuese te mbikalimi dhe ka përfunduar në autostradën Tiranë-Elbasan, duke aksidentuar automjetin tjetër tip “Honda”, me drejtues shtetasin me iniciale Q. K., rreth 60 vjeç.

 

Si pasojë e aksidentit rrugor humbën jetën të tre personat që udhëtonin në automjetin “Audi”, Klevis Ruçaj, i cili udhëtonte me një automjetin ‘Audi Q8’, bashkë me dy vajzat Erisilda Abedini, 22 vjeçe dhe Sikela Përroi, 23 vjeçe, të dyja banuese në Tiranë, gjithashtu dhe 2 të tjerë u plagosën.

 

Taulant Gjoka, shefi i sigurisë së trafikut në Tiranë, u shpreh se për shkeljet që ka kryer viktima, është gjobitur, por ligji nuk parashikon heqjen e patentës.

 

“Është shumë herët për të folur për një shpejtësi absolute, por nga pamjet duket se ka qenë e lartë. Do jetë çështje ekspertimi që do përcaktojnë shpejtësinë e lëvizjes edhe shkakun determinuat të aksidentit rrugorë.

 

Në lidhje me 5 rastet e ndëshkimit për shkeljet e qarkullimit, ligji parashikon vetëm masa administrative, dhe jo masë plotësuese si pezullimi i lejes së drejtimit”, tha ai.

 

Ndërkohë nga ana tjetër Islam Qibini, ekspert i sigurisë rrugore, u shpreh për ‘News 24’ se në vendin tonë ndoshta duhet të rishikohet mundësia që shoferëve të rinj, për një periudhë të caktuar, të mos u lejohet drejtimi i mjeteve me fuqi mbi 1200 kubikë, siç funksionon në disa shtete të tjera.

 

“Është aksident i frikshëm, për shkak të shpejtësisë së madhe që ka qenë si dhe për segmentin rrugor ku ka ndodhur. Kemi të bëjmë me një humbje të kontrollit, dhe fushëpamja është e qartë, t’i e shikon rrethrrotullimin. Është një segment që a barriera metalike, por duke parë shpejtësinë, që mund të ketë qenë mbi 150-200 km/h, i ka shkatërruar ato. Në një aksident ndikojnë shumë faktorë, aftësitë profesionale të shoferit, etj.. Në BE, drejtuesit e mjeteve që kanë një vit leje, nuk mund të drejtojnë mjete me më shumë se 1200 kubikë. Duke parë mosha të reja problematike, duhet të shikohet heqja e patentës dhe bllokimi i mjetit”, tha ai.