Muzeu Kombëtar i Fotografisë “Marubi” do të çelë një cikël punëtorish me tematika kreative të stampimit të fotografive nën logon “Marubi Print Parties”.
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, shkroi në rrjete sociale se, ky aktivitet zhvillohen me mbështetejen e Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit dhe synon të eksplorojë dimensione të reja të imazhit.
“Përgjatë muajve gusht dhe shtator, në muze do të organizohen disa punëtori me teknika kreative të stampimit të fotografive nga arkivi Marubi duke e përdorur koleksionin si pikënisje për të rrëfyer histori të tjera e për të eksploruar dimensione të reja të vetë imazhit”, tha Gonxhja.
Sipas tij, pjesëmarrja në këtë cikël punëtorish është e lirë dhe aktivitetet përfshijnë Kolografinë, Light Painting, Arkivi Marubi në Monopit dhe Portreti im.
Festa e stampimeve fillon me datë 6 gusht me Kolografinë. Mentore do të jetë Jozefina Vokrri dhe numri i pjesëmarrësve do të jetë 10 fëmijë të moshës 6-10 vjeç.
Kolografia është një teknikë stampimi që përfshin krijimin e një pllake stampimi duke përdorur materiale të ndryshme të ngjitura mbi një sipërfaqe bazë.
Gonxhja tha se, “ky aktivitet krijues u lejon fëmijëve të eksplorojnë krijimtarinë e tyre ndërsa mësojnë rreth teknikave të stampimit dhe arkivit të muzeut”.
Ndërkohë prindërit duhet të regjistrojnë pjesëmarrësin/-en duke dërguar një email [email protected] ku shënohet emri i pjesëmarrësit/-es, mosha si dhe emri i personit që e shoqëron në muze.
Fototeka Kombëtare “Marubi” në Shkodër, është krijuar më 1970 dhe në maj të vitit 2016, me koleksionet e fototekës u inaugurua Muzeu Kombëtar i Fotografisë “Marubi”, i cili sot konsiderohet si një nga muzetë unik në Evropë.
Muzeu sot përmban një koleksion të rrallë me fotografi me rreth 500 mijë negativë në teknika dhe formate të ndryshme, si dhe aparate fotografikë, dokumente të ndryshme dhe portrete të fotografëve shqiptarë./ata