U mbajt mbrëmë në TKOB, koncerti lirik i sopranos së mirënjohur shqiptare, Ermonela Jaho, me praninë edhe të tenorit Charles Castronovo.
I titulluar “Rikthimi i dallëndyshes”, koncerti i Ermonela Jahos përçoi magjinë e emocioneve të forta tek të pranishmit në sallë.
“Një nga ato netë që do të mbetet gjatë në memorien e secilit prej nesh”, thuhet në postimin e TKOB në rrjetet sociale.
Sopranoja me famë ndërkombëtare, e kishte vlerësuar këtë koncert si një rikthim për t’i dhënë kësaj skene sadopak nga dashuria dhe mirënjohja që i ka dhënë ky vend dhe çdo zemër shqiptare.
Në pritje të fillimit të koncertit, në shkallet e TKOB u krijua radhë e gjatë njerëzish. Biletat për këtë koncert u shitën në kohë rekord. Ndërkohë që Bashkia Tiranë u mundësoi ndjekjen e tij edhe atyre që nuk mundën të ishin brenda në sallë, duke vendosur një ekran në ambientet e jashtme të TKOB-së.
Programi përmbante arie nga më të njohurat e repertorit operistik botëror të cilat u luajtën nga virtuozët e orkestrës të TKOB-së, drejtuar prej maestro Jacopo Sipari di Pescasseroli./ata