Kryeministri dhe kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama uroi mëngjesin e sotëm fitoren e kandidatit të kësaj partie për kryebashkiak të Himarës, fitimtar në zgjedhjet e së dielës me 58.61 % të votave, Vangjel Tavo.
Rama përcolli urimin për kryebashkiakun e ri të Himarës për fitoren spektakolare, kënaqësinë e mbështetjes domethënëse për Partinë Socialiste në zgjedhjet e djeshme.
Kryeministri po ashtu e shoqëroi urimin me një video ku shfaqet në krah të Tavos ndërsa emri i kryebashkiakut të ri shkruhet edhe në greqisht.
Rama shprehu “vendosmërinë për ta kthyer Himarën 2030 në një prej destinacioneve më të kërkuara të Mesdheut, ku në radhë të parë të gjithë ata që punojnë në industrinë turistike në Greqi, të kthehen për paga më të mira e për ajrin e pazëvendësueshëm të vendlindjes”.
Tavo ka arritur të marrë 5022 vota, ndërsa kandidati i koalicioni opozitar Petraq Gjikuria ka marrë 41.38 % ose 3545 vota.
Zgjedhjet pēr kryebashkiakun e Himarës u mbajtën në proces të qetë ndërsa Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vlerësoi se identifikimi elektronik i zgjedhësve rezultoi i suksessshëm.
Zgjedhjet e pjesshme në bashkinë e Himarës u mbajtën pasi kryebashkiaku i zgjedhur në lokalet e vitit 2023 Fredi Beleri u arrestua dhe u shpall fajtor për krime elektorale.
Më 5 korrik, Presidenti Begaj dekretoi 4 gushtin si datë për zgjedhjet e reja në Himarë, menjëherë pasi KQZ vendosi heqjen e mandatit të Blerit si kryebashkiak i Himarës.
Beleri u arrestua më 12 maj 2023, 2 ditë para zgjedhjeve në Himarë, dhe aktualisht vuan dënimin me burg për korrupsion aktiv në zgjedhje./ata